Bota Health & Beauty

Sot Dita Botërore e Trurit, jepen 5 mesazhe!

Sot është Dita Botërore e Trurit, një ngjarje globale e kujdesit shëndetësor që shënohet më 22 korrik të çdo viti, duke synuar ndërgjegjësimin për sëmundjet e trurit. Në këtë ditë, organizata dhe komunitete të ndryshme lokale e globale mblidhen duke bërë thirrje për një kujdes më të madh shëndetësor, edukimin dhe kërkimin shkencore mbi kushtet neurologjike.

Ky është viti i 12-të që kremtohet Dita Botërore e Trurit. Kësaj here organizohet fushata historike kushtuar promovimit të “Shëndetit të trurit për të gjitha moshat”. Nisma e këtij viti bazohet në sukseset e fushatave të mëparshme, duke përforcuar angazhimin për shëndetin e trurit si një aspekt themelor i mirëqenies individuale dhe shoqërore.

Ja 5 mesazhet e Dites Botërore të Trurit nga Federata Botërore e Neurologjisë:

Ndërgjegjësimi: Çrregullimet neurologjike janë shkaku kryesor i nje jete të kaluar me aftësi të kufizuara dhe shkaku i dytë kryesor i vdekjeve.

Edukimi: Shëndeti i trurit duhet të ketë prioritet gjatë gjithë jetës, nga fëmijëria e deri në pleqëri.

Parandalimi: Parandalimi i çrregullimeve neurologjike fillon herët, me zgjedhje të një stili jetese të shëndetshëm si ushtrimet e rregullta, ushqimi i ekuilibruar, gjumë cilësor, menaxhim i stresit, kontrolli i faktorëve të rrezikut vaskular dhe angazhimi social.

Aksesi: Qasja e barabartë në kujdesin neurologjik, diagnostikim dhe terapi është thelbësore për të gjithë, pavarësisht nga statusi socio-ekonomik.

Ndikimi: Një kornizë globale për shëndetin e trurit duhet të fokusohet në vlerësimin e rrezikut, ndërhyrjet e hershme, zbutjen e rrezikut mjedisor dhe kujdesin e barabartë neurologjik.