Aktualitet

Sot u arrestua si përfshirë në grupin e Inez Hajrullës, kur polici Rezart Kuçi vlerësohej për ‘shërbime të dalluara’…

Polici Rezart Kuçi, aktualisht shef  seksioni në policisë shkencore në Kukës, u arrestua për 3 vepra të rënda penale, shpërdorim të detyrës, trafik droge dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Ai akuzohet nga SPAK si pjesë e grupit të Inez Hajrullës, të fortit të Vlorës, i cili rezulton deri më tani të ketë prositur 2 vrasje dhe bashkë me grupin e tij akuzohen për trafik droge në disa episode.

Ndërsa sot u arrestua për pjesëmarrje në grup kriminal, vetëm 1 vit më parë ai vlerësohej nga Drejtoria e Policisë së Shtetit me certifikatë për shërbime të dalluara.

SPAK ka lëshuar në total 8 urdhër arreste për grupin e Inez Hajrullës. Mes të arrestuarve, është edhe një ish polic, Hamëz Demushi, i cili është kapur në Zvicër. Në pranga ka rënë edhe Rezart Kuçi, aktualisht shef i departamentit të Policisë Shkencore në Kukës, ndërsa më herët ka shërbyer në disa komisariate, si Lushnjë, Tiranë, por edhe ish-shef krimesh në Vlorë. Ai akuzohet për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Trafik lëndësh narkotike” dhe “Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal”. Burimet sqarojnë se Policisë i ishte dhënë vetëm 7 urdhër arreste dhe nuk i ishte dorëzuar urdhër arresti për Rezart Kuçin, me qëllim që të mos dekonspirohej operacioni.

Grupi i Inez Hajrullës qëndron edhe pas vrasjes së Bledar Birçajt në Vlorë në 2021, episod tashmë i zbardhur nga SPAK. 40-vjeçari, Bledar Birçaj u vra në një atentat të mirëorganizuar në automjetin e tij “BMW” X5 në vendin e quajtur Bishti i Kalldrëmit. Në drejtim të automjetit u qëllua mbi 30 herë, ku 7 plumba i morën jetën.

Në 2021 kur u organizua atentati, Birçaj kishte vetëm një muaj që ishte kthyer nga Spanja, dhe pista e hetimeve ishte përplasja mes bandave për trafik droge. Në makinë me të rezultoi të ishte edhe një 20-vjeçar, si edhe një polic, Granit Deromema, i cili më vonë u përjashtua nga radhët e Policisë së Shtetit.

Emri i Birçajt nuk ishte një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2011 është arrestuar në Vlorë si i dyshuar për vrasje duke iu vendosur masa e arrestit me burg me afat 45 ditë. Birçaj ishte edhe një pronar i një lokali në Vlorë.