Sot në orën 10:00, grupi parlamentar i Partisë Socialiste nis mbledhjen për leximin e raportit të 5 anëtarëve të PS-së në Këshillin e Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zv/kryeministres Belinda Balluku.
Hartimi i raportit u bë nga kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Raportohet se nuk do të mungojë as Balluku. Kryeministri Edi Rama do të mbajë një fjalim.
Socialistët lanë të kuptohet se me largimin nga detyra, nuk ka arsye pse të jepet autorizimi për arrestimin e Ballukut. Këtë pozicion ka mbajtur edhe kryeministri Edi Rama në mbledhjen me grupin parlamentar dhe ministrat, kur njoftoi ndryshimet në qeveri e largimin e Ballukut nga detyra për shkak të masës së pezullimit të vendosur nga GJKKO-ja, që mbeti në fuqi pasi Gjykata Kushtetuese nuk doli dot me një vendim.
Në fakt, anëtarët e Kushtetueses vlerësuan njëzëri se ministri nuk përfiton nga përjashtimet e Nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale për masën e pezullimit. Por, u ndanë në mënyrën si duhej realizuar kjo, nëse duhet kërkuar apo jo leja e Kuvendit të Shqipërisë për pezullimin e ministrave.
Menjëherë më pas, shumica nxitoi të propozojë një ndryshim në Nenin 242/2 të Kodit të Procedurës Penale, duke përfshirë ndalimin e pezullimit edhe për anëtarët e qeverisë, presidentin e drejtuesit e institucioneve të pavarura.
Seanca plenare e 12 marsit do të vendosë për fatin e Belinda Ballukut. Tashmë PD-ja e ka publikuar raportin e plotë duke bërë të qartë mbështetjen për kërkesën e SPAK. Ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku është marrë pandehur nga SPAK për ndërtimin e tunelit të Llogarasë dhe është nën hetim për 7 lotet e Unazës së Madhe. Ndaj saj rëndon akuza e “Shkeljes së barazisë në tendera”.