Një operacion i përbashkët i Policisë Kombëtare dhe Gardës Civile spanjolle çoi në shkatërrimin e një prej rrjeteve më të mëdha të trafikut të drogës në ishujt Balearikë. Në qendër të këtij grupi që vepronte në Mallorca dhe Ibiza ishte Stefan Milojević, djali i ish-sulmuesit të njohur serb Goran Milojević, ish-lojtar i Mallorcës dhe Celtës.
Stefan, një ish-sportist dhe luftëtar profesionist MMA, akuzohet si lider dhe financier i një organizate kriminale që trafikonte sasi të mëdha kokaine e hashashi nga Evropa drejt Spanjës.
Hetimet e zhvilluara gjatë dy viteve të fundit, në kuadër të operacionit “Enroque Bal Manso”, zbuluan lidhje të rrjetit me mafiet ndërkombëtare, përfshirë kontakte për furnizime me armë zjarri, mes tyre AK-47. Autoritetet sekuestruan 3200 kilogramë drogë, 1.54 milion euro në para të gatshme dhe arrestuan 76 persona, mes tyre shtetas spanjollë, serbë e shqiptarë.
Ndër të arrestuarit edhe Faustín Nogales, ish-shef i antidrogës në Policinë e Balearikeve, i dyshuar se bashkëpunonte me rrjetin kriminal, duke ndihmuar në manipulimin e çmimeve dhe në pastrimin e parave. Aktualisht, ai gjendet në burgun e Estremeras, në Madrid.
Sipas raportit të policisë, organizata kishte ndërtuar një strukturë të ngjashme me mafiet italiane, si “Ndrangheta” dhe “Camorra”, duke korruptuar zyrtarë të policisë, gjyqësorit dhe mediave për të marrë informacion mbi hetimet. Rrjeti kishte shtrirje ndërkombëtare e operonte me disiplinë të rreptë, ndërsa Milojević konsiderohet si “koka” e trafikut në zonë.