Sport

Streamer-i Ibai Llanos bën “mea culpa”: Kam edhe unë faj për sherrin në “El Clasico”!

‘Porcinos si Madridi, gënjejnë dhe gjithnjë ankohen’-kjo ishte fraza e thënë nga Lamine Yamal,  që shkaktoi edhe sherrin masiv në “El Clasicon” e së dielës mes Realit dhe Barcelonës, e fituar 2-1 nga skuadra e “Los Blancos”.

Ishte kjo frazë e thënë në një episod të “Kings League”, të streamer-it Ibai Llanos, skuadra e të cilit ishte pikërisht Porcino FC. Ky i fundit bëri “mea culpa” nëpërmjet një postimi në kanalet e tij, duke marrë pjesërisht përsipër fajin për çfarë ndodhi në “Santiago Bernabeu”, në atë përplasje mes titanëve të futbollit spanjoll.

LEXO EDHE: Prapaskena, keqkuptimi që ndezi polemikat mes Conte, Marotta dhe Chivu!

“Lamine e pëlqen shumë “Kings League” dhe mendova se do të ishte argëtuese ta shihja atë të gjuante një penallti si president”,-tha Ibai Llanos. “Qëllimi ishte promovimi i një programi, për t’u nxehur pak. Unë dhe Lamine, ishim duke bërë shaka e duke ia kaluar shumë mirë, por pa folur për Realin e Madridit e as për Barcelonën. U shkaktua një sherr spektakolar dhe u konfirmua se e gjithë kjo shkoi në dhomat e zhveshjes së Realit, mjaft të shohësh veprimet e Carvajal, Vinicius apo Courtois. Nuk do shumë mend të kuptohet se gjestet që thonë ‘flet shumë’ janë për programin e Kings League”, -tha ai.

Ibai Llanos e mbylli videon e tij duke thënë: “Ajo që duhet të ishte një shaka, bëri që në “El Clasico” të ndërhyjë edhe policia’

Sfida e transmetuar drejtpërdrejt në DigitAlb nisi me një vrull tepër të lartë, me Mbappe që realizoi një supergol në minutën e 12’, por pas një ndërhyrjeje të VAR-it, goli u anulua për pak centimetra pozicion jashtë loje. Pas 10 minutash, ishte sërish Mbappe që shënoi, kësaj radhe mëse i rregullt, duke shpërthyer festën në “Bernabeu”.

LEXO EDHE: Piastri humbet kreun në Meksikë, e parakalon Norris! Versttappen në luftë për titullin!

Katalanasit reaguan mjaft mirë, duke rikthyer baraspeshën në minutën e 38’ me anë të Fermin Lopezit, rezultat që zgjati vetëm pak. Pas 5 minutash ishte Bellingham që kaloi sërish në avantazh madrilenët.  Në fundin e pjesës së parë, Mbappe gjeti sërish rrjetën, por kësaj radhe pozicioni ishte dukshëm i parregullt.

Francezi pati sërish rastin për të sjellë qetësi në radhët e “Los Blancos”, por gaboi nga pika e bardhë në të 52’.  Në sekondat e fundit, Pedri u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, me katalanasit që e mbyllën sfidën me 10 lojtarë. Tensioni dhe përplasjet mes lojtarëve nuk munguan.