Një studim i botuar në revistën Obstetrics and Gynecology analizoi mbi 18,100 lindje në Massachusetts të fëmijëve të lindur nga gra që u infektuan me COVID-19 që nga muajt e parë të pandemisë deri në një pjesë të vitit 2021. Fëmijët e lindur nga nëna që kishin kaluar infeksionin e Covid-19 gjatë shtatzënisë kishin një rrezik më të lartë për diagnozë autizmi dhe për probleme të tjera neurologjike, si vonesa në të folur dhe zhvillimin motorik, sipas studimit.
Autorët e studimit theksuan se, si studim vëzhgues, ai nuk provon se Covid-19 shkakton këto gjendje, por tregon një lidhje mes infektimit të nënës dhe rrezikut për zhvillime të tilla tek fëmijët. Sidoqoftë, rreziku i përgjithshëm mbetet shumë i ulët, tha Andrea G. Edlow, mjeke dhe profesoreshë në Shkollën Mjekësore të Harvardit. “Nuk është se çdo grua shtatzënë që kalon Covid-19 duhet të mendojë se fëmija i saj do të ketë autizëm. Rreziku absolut është shumë i vogël”, shpjegoi ajo.
Ndërkaq, vaksinat më të përdorura kundër COVID-19 mund të ofrojnë një përfitim surprizë për disa pacientë me kancer duke rritur sistemin e tyre imunitar për të ndihmuar në luftimin e tumoreve. Njerëzit me kancer të avancuar të mushkërive ose të lëkurës që merrnin ilaçe të caktuara imunoterapie jetonin dukshëm më gjatë nëse merrnin edhe një dozë Pfizer ose Moderna brenda 100 ditëve nga fillimi i trajtimit, sipas një hulumtimi paraprak që u raportua në revistën Nature.
Dhe kjo nuk kishte të bënte fare me infeksionet virale. Në vend të kësaj, molekula që fuqizon ato vaksina specifike, mRNA, duket se ndihmon sistemin imunitar të përgjigjet më mirë ndaj trajtimit të avancuar të kancerit, përfunduan studiuesit nga Qendra e Kancerit MD Anderson në Hjuston dhe Universiteti i Floridës. Vaksina “vepron si një sirenë për të aktivizuar qelizat imune në të gjithë trupin”, tha studiuesi kryesor Dr. Adam Grippin i MD Anderson. “Ne po i sensibilizojmë tumoret rezistente ndaj imunitetit ndaj terapisë imune.”