Fëmijët që rriten pranë gjyshërve marrin më shumë se dashuri ata mësojnë durimin, respektin, vetëbesimin dhe mirësinë që i shoqëron gjithë jetën. Roli i gjyshërve është i veçantë: i ngjashëm me atë të hallave apo tezeve, por më i thellë dhe i lidhur ngushtë me përvojën jetësore dhe moshën. Ata janë gjithmonë aty për t’u kujdesur për nipërit, për t’i përkëdhelur, për t’u ofruar dashuri të pakushtëzuar, përqafime, puthje e shpesh edhe dhurata.
Kujdesi ndaj nipërve dhe mbesave mund të ndihmojë në mbrojtjen e shëndetit mendor të të moshuarve, sipas një studimi të ri shkencor. Shumë gjyshër angazhohen çdo ditë duke ndihmuar fëmijët me detyrat e shtëpisë, duke përgatitur ushqim apo duke i shoqëruar në park dhe në shkollë. Sipas hulumtimit më të fundit, këto aktivitete të thjeshta mund të luajnë rol të rëndësishëm në ruajtjen e funksioneve njohëse të trurit.
Studimi, i publikuar nga Shoqata Amerikane e Psikologjisë, zbuloi se kujdesi i rregullt për nipërit dhe mbesat lidhet me përmirësim të rrjedhshmërisë verbale dhe kujtesës episodike, e cila lidhet me rikujtimin e ngjarjeve personale nga e kaluara. “Ajo që na bëri më shumë përshtypje ishte fakti se të qenit gjysh kujdestar kishte më shumë ndikim në funksionet njohëse sesa sa shpesh ofrohej kujdesi apo çfarë aktivitetesh kryheshin”, u shpreh Flavia Chereches, nga Universiteti i Tilburgut në Holandë, autore kryesore e studimit.
Studimi përfshiu 2,887 gjyshër mbi moshën 50 vjeç, me moshë mesatare 67 vjeç. Të gjithë pjesëmarrësit ishin në gjendje të mirë mendore dhe jetonin në mënyrë të pavarur gjatë periudhës së studimit. Ata iu përgjigjën pyetësorëve dhe kryen teste njohëse tre herë nga viti 2016 deri në vitin 2022. Pjesëmarrësit u pyetën sa shpesh kujdeseshin për nipërit pa praninë e prindërve dhe në cilat periudha e ofronin këtë kujdes gjatë pushimeve shkollore, fundjavave, ditëve të javës apo gjatë gjithë vitit. Rreth 56 përqind e tyre deklaruan se kujdeseshin për nipërit gjatë gjithë vitit.