Health & Beauty Lifestyle

STUDIM/Sa duhet të zgjasë një përqafim që të ndihet vërtet?

Një përqafim i vërtetë shpesh thotë më shumë se çdo fjalë. Terapistja e njohur familjare Virginia Satir ka theksuar se përqafimet janë nevojë themelore emocionale, po aq të rëndësishme sa ushqimi apo gjumi. Studimet tregojnë se një përqafim që zgjat rreth 20 sekonda aktivizon sekretimin e oksitocinës, hormonit të lidhur me besimin, qetësinë dhe lidhjen emocionale. Njëkohësisht ulet niveli i kortizolit, hormonit të stresit, i cili e mban trupin në gjendje tensioni dhe vigjilence. Në eksperimente ku njerëzit ishin të ekspozuar ndaj situatave stresuese, si një fjalim publik, intervistë pune apo presion social, ata që më parë kishin marrë një përqafim të shkurtër, por të ngrohtë nga një person i afërt, shfaqnin dukshëm më pak ankth dhe ritëm më të qëndrueshëm të zemrës. Trupi, thënë thjesht, ndihej më i sigurt.

Kjo shpjegon pse përqafimet janë veçanërisht të fuqishme në momente krize, pikëllimi apo pasigurie: ato i japin trupit sinjalin se “nuk je vetëm”. Përveç oksitocinës dhe kortizolit, përqafimi ndikon edhe në Sistemin nervor parasimpatik, i cili ul ritmin e zemrës dhe nxit relaksimin, Ndjesinë e lidhjes sociale, që lidhet me shëndetin mendor afatgjatë, Uljen e ndjenjës së vetmisë, edhe nëse përqafimi zgjat vetëm pak çaste. Në thelb, përqafimi vepron si një “mikro-terapi” e menjëhershme, e natyrshme dhe pa kosto.

Efekti nuk vjen domosdoshmërisht vetëm nga një person tjetër. Studime nga Japonia kanë treguar se edhe vetë pozicioni i përqafimit, krahët që hapen dhe rrethojnë diçka pranë trupit, mund të ketë efekt qetësues. Në eksperimente ku pjesëmarrësit gjatë bisedave stresuese mbanin një jastëk të butë në formë figure njerëzore, u regjistruan nivele më të ulëta të hormoneve të stresit krahasuar me ata që nuk kishin asnjë kontakt fizik. Edhe përqafimi i vetes, mbajtja e duarve në gjoks apo mbështjellja me një batanije të ngrohtë mund të ofrojë një ndjesi sigurie. Përqafimi mbetet një mjet i fuqishëm për mirëqenien emocionale. Në kohë pasigurie, stresi apo vetmie, ai mund të jetë një mënyrë e thjeshtë për të rikthyer ekuilibrin.