Bota

STUDIM/Thatësira po nxit rezistencën ndaj antibiotikëve!

Thatësira mund të jetë duke përkeqësuar në heshtje një nga kërcënimet më serioze për shëndetin publik global; rezistencën ndaj antibiotikëve. Këtë e sugjeron një studim i ri, sipas të cilit kushtet e thata përqendrojnë mikroorganizmat rezistentë ndaj antibiotikëve në tokë dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në përhapjen e këtij problemi në nivel botëror. Studimi është realizuar nga studiues të California Institute of Technology (Caltech) në Shtetet e Bashkuara, të cilët kërkuan të kuptonin nëse ndryshimet në mjediset natyrore ku antibiotikët kanë origjinën mund të nxisin rezistencën ndaj tyre.

Rezistenca antimikrobike, e njohur si AMR, konsiderohet një kërcënim në rritje dhe vetëm në Bashkimin Evropian shkakton më shumë se 35 mijë vdekje çdo vit. Ky fenomen ndodh kur bakteret, viruset, kërpudhat dhe parazitët nuk reagojnë më ndaj ilaçeve antimikrobike. Edhe pse kjo është një dukuri natyrore që zhvillohet me kalimin e kohës përmes ndryshimeve gjenetike te patogjenët, aktiviteti njerëzor — veçanërisht përdorimi i gabuar dhe i tepruar i antibiotikëve e ka përshpejtuar ndjeshëm këtë proces.

Sipas Dianne Newman, profesoreshë e biologjisë dhe gjeobiologjisë në Caltech, thatësira po krijon të njëjtin efekt që sjell edhe përdorimi i tepërt i antibiotikëve në spitale dhe klinika. Ajo shtoi se lidhja e fortë e zbuluar në studim nxit nevojën për diagnostikim më të mirë dhe më të shpejtë në mjediset klinike, si dhe për zhvillimin e qasjeve të reja terapeutike. Autorët e studimit rikujtojnë se antibiotikët u zbuluan për herë të parë në eksperimente që përfshinin mikroorganizma të tokës që në vitet 1940, kur u vu re se produktet natyrore të prodhuara nga një organizëm në tokë mund të pengonin rritjen e një tjetri.