“Vendndodhja e qelizave të një tumori përcakton agresivitetin e tij”, sipas një studimi të kryer në Shtetet e Bashkuara në Qendrën e Kancerit Sylvester në Universitetin e Miamit nga italianët Antonio Iavarone e Anna Lasorella. I botuar në revistën “Cancer Cell”, ky studim u përqendrua në glioblastomë, tumorin më agresiv të trurit, por zbulimi vlen edhe për tumore të tjera, siç është kanceri i gjirit.
Një teknologji e re analize bëri të mundur evidentimin dhe klasifikimin e qelizave individuale të tumorit të trurit në vendet e tyre origjinale, duke zbuluar se ato që grumbullohen janë më pak vdekjeprurëse se qelizat që mbeten jashtë këtyre grumbullimeve. Këto të fundit shpërndahen, duke favorizuar përhapjen e tumorit përmes metastazës.
“Edhe pse glioblastoma nuk metastazon në të njëjtën mënyrë si tumoret e tjera të ngurta, të kuptuarit pse dhe si qelizat tumorale bëhen plastike, mund të ndihmojë në sqarimin pse dhe kur shumë tumore metastazojnë”, thanë studiuesit.
Ne besojmë se ky parim është me rëndësi të përgjithshme për tumoret e ngurta dhe jep një përgjigje pse disa qeliza bëhen kaq agresive.
Deri më tani, dihej se agresiviteti i tumorit është i lidhur me plasticitetin, por shkaku i këtij plasticiteti ka mbetur një mister.
Por, kemi zbuluar se si qelizat malinje të tumorit të trurit ndryshojnë vazhdimisht për të shmangur trajtimin.
Hulumtimi ka treguar se trajtimi fillestar i tumoreve të trurit me kimioterapi ose radioterapi mund të shpërbëjë agregatet qelizore, konfigurimin më pak të dëmshëm e të stimulojë shpërndarjen e tyre. Kjo do të thotë që qelizat që mbeten pas këtyre terapive janë më plastike e për këtë arsye, më agresive. Ky zbulim u bë i mundur duke përdorur një teknologji të quajtur “transkriptomika hapësinore”, e cila gjithashtu lejoi identifikimin e mijëra gjeneve që janë aktive ose joaktive në qeliza.
Analiza gjenetike tregoi se qelizat e shpërndara janë gjithashtu më plastiket e po ashtu demonstroi se ndryshe nga qelizat e shpërndara, të grumbulluarat shprehin proteina në sipërfaqet e tyre, që i ndihmojnë të qëndrojnë së bashku. Rezultatet tregojnë se të njëjtat parime vlejnë edhe për kancerin e gjirit.
Për studiuesit, ky zbulim mund të jetë çelësi i një qasjeje të mundshme terapeutike kundër glioblastomës dhe hapi tjetër do të jetë të kuptojnë si të nxisin grumbullimin e qelizave për të parandaluar shpërndarjen. Qëllimi është të jenë në gjendje të ruajnë grumbullimin e qelizave e madje të përmbysin shpërndarjen.