Në një kohë kur të gjithë mendojnë se fëmijët janë burimi kryesor i stresit në një familje, një studim i realizuar nga “Today” ka treguar të kundërtën: burrat janë burimi më i madh i stresit për gratë.
Më shumë se 7,000 nëna nga SHBA morën pjesë në një anketë dhe intervistë, ku shumica e tyre vlerësuan nivelin e stresit me një mesatare prej 8.5 në një shkallë nga 1 në 10.
Ajo që e bëri studimin më të habitshëm ishte se gati gjysma e grave pranuan se burri i tyre ishte shkaktari kryesor i stresit, më shumë se vetë fëmijët.
Një studim tjetër nga Universiteti i Padovës në Itali mbështet këtë përfundim.
Sipas tij, shëndeti i burrave përkeqësohet pas vdekjes së grave të tyre, ndërsa gratë shpesh përmirësojnë gjendjen e tyre shëndetësore pas vdekjes së burrit. Studiuesit vërejnë se gratë përballen më mirë me stresin dhe depresionin kur janë vetëm sesa kur bashkëjetojnë me bashkëshortët e tyre.
Sipas studimit, një ndër pesë nëna pohon se burimi më i madh i stresit të përditshëm është mungesa e ndihmës nga partneri. Ndërkohë, 75% e grave ndihen sikur mbajnë mbi supe gjithë barrën e shtëpisë dhe përkujdesjes për fëmijët, përfshirë pastrimin, gatimin, larjen e rrobave dhe organizimin e përditshëm të familjes.
Gjithashtu, një në pesë burra nuk ndihmon fare në menaxhimin e shtëpisë, çka e vështirëson akoma më shumë situatën për nënat që rrisin disa fëmijë.
Por në mbrojtje të burrave, një studim tjetër zbulon se 2 në 3 burra do të ndihmonin më shumë – nëse gratë do t’ua kërkonin hapur ndihmën. Shumë burra janë të pavetëdijshëm për stresin që përjetojnë gratë, dhe mendojnë gabimisht se gjithçka është nën kontroll.
Një pjesëmarrëse në studim tha:
Edhe pse burri im është i përkushtuar, ndiej se gjithçka bie mbi mua. Punoj po aq sa ai, por e bëj vetë gjithë organizimin.
Shpesh, gratë nuk ia besojnë detyrat burrave sepse ndihen më të sigurta duke i bërë vetë punët.
Ato e marrin gjithçka përsipër dhe kur gjërat shkojnë keq, fajësojnë veten, duke e kthyer stresin jo vetëm në fizik, por edhe emocional.
Çfarë duhet të bëjë një grua kur ndien se po i bën të gjitha vetë?
Sipas këshillave të ekspertëve të marrëdhënieve, zgjidhja qëndron në komunikim të hapur dhe të qartë.
Gratë duhet të shprehen hapur dhe konkretisht, pa e interpretuar kërkesën për ndihmë si dobësi apo mungesë kontribuimi nga burri.
Për shembull, një grua mund të thotë:
Duhet të marr fëmijët, të bëj pazarin dhe të laj rrobat. A mund të më ndihmosh me njërën prej këtyre?
Një ton pozitiv ndihmon më shumë sesa kritika.
Po ashtu, është e rëndësishme të pranosh ndihmën kur ofrohet dhe të mos thuash gjithmonë “unë e bëj vetë”. Kjo mund të japë mesazhin e gabuar që s’ka nevojë për ndihmë.
Nëse ndihma nuk bëhet siç do gruaja, duhet treguar durim. Ndryshe nuk do të thotë gabim…
Mënyra e dytë më e mirë për të bërë diçka nuk është mënyrë e gabuar.
Ndihma mund të vijë më lehtë edhe nëse burri merr pak udhëzim për detyra të reja – një “tutorial” i shkurtër mund të ndihmojë që detyrat të ndahen në mënyrë më bashkëpunuese.
Shprehja e mirënjohjes është gjithashtu thelbësore. Një “faleminderit” për ndihmën më të vogël mund të sjellë më shumë angazhim në të ardhmen.
Në fund të ditës, ndarja e barabartë e përgjegjësive nuk sjell vetëm më pak stres, por edhe më shumë kënaqësi në jetën familjare.
Edhe pse rritja e fëmijëve nuk është një mision i lehtë, kur dy bashkëshortë punojnë së bashku dhe përpiqen njësoj, çdo sfidë bëhet më e përballueshme.