Aktualitet Travel

Sugjerimet për turizëm, faqja e njohur Travelinglifestyle nuk ka dyshime: Zgjidhni Shqipërinë!

Faqja e njohur turistike Travelinglifestyle veçon Shqipërinë si një nga vendet më të mirë të vitit, mes shumë destinacioneve europiane të paprekura.

Më parë u la pas dore nga udhëtarët, por kohët e fundit është bërë një nga destinacionet më premtues në Europë ku kërkesa për udhëtime u rrit mes viteve 2022 e 2023, veçanërisht pasi u hoqën të gjitha kërkesat e hyrjes në lidhje me pandeminë dhe u rivendos normaliteti plotësisht.

Ndërsa Franca, Italia e Spanja kanë ndërmarrë hapa për të reduktuar numrin e turistëve, të tjera vende më pak të njohura janë “të etur” për të mirëpritur më shumë vizitorë.

Shqipëria është një vend i vogël në Europën Juglindore, kufizohet me Greqinë në jug, Maqedoninë e Veriut e Kosovën në lindje, si dhe Malin e Zi në veri.

Por, për publikun u prezantua vetëm 30 vjet më parë.

Sipas INSTAT-it, vetëm në janar të këtij viti, në Shqipëri shkuan 377 mijë të huaj, rritje prej 94.2% nga viti në vit. Këto norma janë të mahnitshme, duke pasur parasysh se Europa, ende është “jashtë sezonit” të saj dhe vizitat, shpesh bien ndjeshëm.

Fakti që Shqipëria vazhdon të zgjerohet me kaq shpejtësi përballë rikthimit në normalitet të konkurrentëve të saj më të egër, është dëshmi e mëtejshme se ka ruajtur vrullin që fitoi në fillim të pandemisë.

Ndërsa pjesa më e madhe e Europës ishte e mbyllur për shkak të COVID-it, Shqipëria mbeti e aksesueshme pa kufizime, çka ndoshta kontribuoi në popullaritetin e saj të papritur.

Vitin e kaluar, 7.5 milion turistë vizituan Shqipërinë, një rritje prej 32% krahasuar me vitin 2021. Nëse trendi aktual vazhdon, niveli i mëparshëm i vendit mund të tejkalohet lehtësisht deri në dhjetor.

Ashtu si Kroacia e Mali i Zi, Shqipëria ndodhet në detin Adriatik, një nga krahët e Mesdheut të madh, por kostoja e jetesës është shumë më e ulët nëse bën krahasim. Do të gjeni të njëjtat ujëra të kaltër në të gjelbër, plazhe me rërë të bardhë ose me guralecë dhe qytete mesjetare me shtëpi prej guri, por pa hotele të shtrenjta e kurthe tipike turistike.

Pjesë të mëdha të bregdetit më jugor të Shqipërisë, në atë që njihet si Riviera Shqiptare kanë mbetur të pazhvilluara, kështu që natyra është e paprekur. Plazhet janë të patrazuara dhe qytetet tradicionale me kalldrëm, ku breza të tërë familjesh kanë jetuar për shekuj, të pandotur nga ndikimet e jashtme.