Lufta në Lindjen e Mesme po trondit hartën globale të turizmit. Ndërsa disa destinacione po humbin vizitorë, Afrika po shfaqet si një nga lojtarët e rinj më të rëndësishëm të sektorit. Kontinenti afrikan po konsolidon pozicionin si një nga rajonet me rritjen më të shpejtë të turizmit në botë, me më shumë se 80 milionë vizitorë gjatë vitit 2025, 8 për qind më shumë krahasuar me vitin e kaluar, sipas të dhënave të UN Tourism. Po ashtu, shpenzimet turistike u rritën me 5 për qind, duke tejkaluar tregje të konsoliduara si Evropa, sipas World Travel and Tourism Council. Megjithatë, sektori përballet ende me pengesa të rëndësishme. Një prej tyre mbetet lidhja ajrore dhe lëvizja brenda kontinentit.
Edhe pse ekzistojnë lidhje direkte nga Evropa drejt aeroporteve kryesore si Nairobi, Addis Ababa dhe Johannesburg, udhëtimi brenda rajonit mbetet i komplikuar. Kjo situatë shoqërohet edhe me kosto të larta dhe varësi nga aeroportet kryesore, duke kufizuar zhvillimin e itinerareve turistike me disa destinacione.
Ndërkaq, “Mes Ballkanit dhe Greqisë shtrihet Shqipëria, një destinacion që ofron gjithçka që mund të ëndërroni, kulturë dhe histori të pasur, qytete bregdetare magjike me rërë të bardhë, udhëtime malore dhe shumë më tepër”, shkruhet në një artikull të botuar në median izraelite “The Jerusalem Post”.
Vitet e fundit, Shqipëria ka tërhequr gjithnjë e më shumë turistë, falë çmimeve të përballueshme, vijave bregdetare spektakolare e qyteteve historike. Kjo tendencë bëhet edhe më e dukshme në një kohë kur mbingarkesa turistike po prek destinacione të mëdha europiane si Italia, Greqia, Spanja dhe Portugalia. Edhe Alpet Shqiptare janë shndërruar në një alternativë të shkëlqyer kundrejt Dolomiteve, në Itali, që së fundmi po përballen me një rritje të ndjeshme të numrit të vizitorëve dhe presion në infrastrukturë.