Art & Kulturë

“Sula” nga Toni Morrison. Kritikë.

Toni Morrison, fituese e Nobelit për letërsinë më 1993 është një nga novelistet më të njohura e të rrespektuara përtej atlantikut. Veç “Sula”, të tjerë romane të saj janë, “The Bluest Eye”, “Beloved”, “Paradise and Love”. Puna e saj letrare ka fituar çmime të rëndësishme si “Pulitzer” apo “National Book Criticts Circle”. Ajo mban Medaljen e Lirisë dhënë nga Presidenti Amerikan Barack Obama në 2012, vlerësimi më i lartë për një qytetar amerikan. Toni Morrison u nda nga jeta më 5 Gusht 2019 në moshën tetëdhjetëetetë vjeçare.

Alice Walker, për The Guardian, shkruan:

Çfarë force kanë mendimet e saj dhe sa mirënjohës duhet të jemi që na u dhanë në një epokë kaq sfiduese.

Toni Morrison, për librin e saj në kohën kur ai nisi të lexohej shumë, thoshte:

Gratë e përjashtuara nga shoqëria janë tërheqëse – jo gjithmonë e vetëm prej sjelljes së tyre, por sepse gratë, vajzat janë parë si historikisht plangprishëse, me një status gati të jashtëligjshëm, nëse nuk janë nën zgjedhën e burrave. Tek “Sula” doja të eksploroja pasojat e ikjes nga kjo, jo vetëm në shoqërinë disi konvencionale nga e cila vij, por mbi të gjitha nga një miqësi midis dy grave.

Disa libra janë ngelen aq, histori që i lexon. Të tjerë kthehen në manuale tek të cilat zbulon të vërteta për veten duke i lexuar. Po aq lë diçka nga vetja aty. “Sula” erdhi në duart e mia në kohën kur disa marrëdhënie që i konsideroja të përgjithmonshme u thërrmuan si kokrriza rëre nën diellin e gushtit. Dhe më pëlqeu fort për faktin se nuk ishte një romantizim i një shoqërie mes dy njerëzve me një fund të lumtur, ishte i vërtetë, kokëfortë dhe i vështirë.

Marrëdhënia e Nel dhe Sula-s është vërtet ajo që shumica prej nesh përjetojnë në rrugëtimin e komplikuar që quajmë jetë. Pavarësisht se sa keq i bënë njëra tjetrës – lidhja mes të dyjave ishte e pamohueshme si fije që nuk i pret dot, sado të duket sikur nuk i ke më ato miqësi, [mbase] nuk i sheh më, dashuria nuk fshihet si lapsi me gomë. Si prind është e pamundur të mos plogështohem nga personazhet e Evës dhe djalit të saj Plum. Kur arrin një farë moshe ke një ndjeshmëri krejt tjetër ndaj humbjes dhe trishtimit, ke një ftohtësi arsyetimi që lidhet me humbjet jo të pakta ndër vite, vite të cilat gdhëndin empatinë, durimin apo të kundërtën e këtyre.

Sula dhe Nel përfaqësojnë dy llojet e grave, po xhanëm dy llojet e njerëzve në jetë. Guximtarët dhe të kompromentuarit, racionalët, praktikët, frikacakët?! Ajo që të ndodh duke lexuar është e jashtëzakonshme, e ke të pamundur të mos ta gjesh veten të pasqyruar në sytë e të dy personazheve thuajse njësoj, edhe pse kjo logjikisht nuk ka si të jetë. Ne jemi produkt i zgjedhjeve tona, gjithmonë duhet të bëjmë llogaritë me to. Ajo që Morrison bën kaq bukur është gjetja e fjalëve për të përshkruar ‘po sikurin?’ e famshëm që gënjejmë vetëm veten kur themi që nuk na ndodh kur mendojmë për zgjedhjet që kemi bërë.

“Sula” na ndihmon të bëjmë llogaritë me kufijtë, ato që i vëmë vetes, ato që na vënë të tjerët, ato që i shohim dhe bëjmë sikur nuk i shohim, ato që i shohim edhe kur nuk janë aty. Na ndihmon të kuptojmë tjetrin, ta pranojmë tjetrin edhe nëse zgjedhjet e tyre nuk janë dhe nuk do jenë kurrë tonat. Disa libra, të bëjnë më të mirë nëse i lexon sepse janë shumë më shumë histori vendesh e popujsh. “Sula” është padyshim një syresh.