New York Times shkruan për romanin e Toni Morrison: “I bukur në mënyre ekstravagante, madhështor e dhembshurisht i gjallë” Nel dhe Sula ndajnë sekretet dhe ëndrrat e tyre në mid-West-in e skamjes në Shba-në e afro-amerikanëve. Janë këto ëndrra dhe sekrete që do t’i ndajnë dhe afrojnë ato përgjithmonë.
174 faqe
Mbas një fëmijërie të kaluar së bashku në egërsinë e varfërisë të tejskajshme të amerikës së afro-amerikanëve, Nel dhe Sula do të ndahen. Sula i ikën realitetit të dhunshëm e të pashpresë për të ndjekur ëndrrat e saj kryekëput të ndryshme nga ato që vendi ku lindi i kish rezervuar. Nel qëndroi, dhe u martua, njësoj si të gjitha vajzat e tjera.
Dhjetë vite më vonë, Sula rikthehet në qytezën e fëmijërisë, dhe askush, aq më pak Nel është aty për të. Askush nuk e beson më. Për ta ajo është një e huaj, e panjohur, e pakuptimtë. Sula, është një histori frike – frika që na brengos e na burgos, frika që forcohet me kohën nga mitet dhe legjendat. Personazhi i saj, i një gruaje të fortë, të pakompromis, të panënshtruar nga e tashmja, tradita, patriarku, shihet si shtrigë nga sytë e atyre që nuk e kanë forcën e saj.
E sfiduar jo vetëm nga mizoria e së shkuarës por edhe nga dashuria për produktet e saj, Sula dhe Nel do të bëjnë një udhëtim të përkorë, të ëmbël e të hidhur bashkë deri në faqet e fundit të romanit.
Toni Morrison, fituese e Nobelit për letërsinë më 1993 është një nga novelistet më të njohura e të rrespektuara përtej atlantikut. Veç “Sula”, të tjerë romane të saj janë, “The Bluest Eye”, “Beloved”, “Paradise and Love”. Puna e saj letrare ka fituar çmime të rëndësishme si “Pulitzer” apo “National Book Criticts Circle”. Ajo mban Medaljen e Lirisë dhënë nga Presidenti Amerikan Barack Obama në 2012, vlerësimi më i lartë për një qytetar amerikan. Toni Morrison u nda nga jeta më 5 Gusht 2019 në moshën tetëdhjetëetetë vjeçare.
“Çfarë force kanë mendimet e saj dhe sa mirënjohës duhet të jemi që na u dhanë në një epokë kaq sfiduese” – shkruan Alice Walker për The Guardian.
“Gratë e përjashtuara nga shoqëria janë tërheqëse – jo gjithmonë e vetëm prej sjelljes së tyre, por sepse gratë, vajzat janë parë si historikisht plangprishëse, me një status gati të jashtëligjshëm, nëse nuk janë nën zgjedhën e burrave. Tek “Sula” doja të eksploroja pasojat e ikjes nga kjo, jo vetëm në shoqërinë disi konvencionale nga e cila vij, por mbi të gjitha nga një miqësi midis dy grave” – thoshte Toni Morrison për librin e saj në kohën kur ai nisi të lexohej shumë.
Disa libra janë ngelen aq, histori që i lexon. Të tjerë kthehen në manuale tek të cilat zbulon të vërteta për veten duke i lexuar. Po aq lë diçka nga vetja aty. “Sula” erdhi në duart e mia në kohën kur disa marrëdhënie që i konsideroja të përgjithmonshme u thërrmuan si kokriza rëre nën diellin e gushtit. Dhe më pëlqeu fort për faktin se nuk ishte një romantizim i një shoqërie mes dy njerzve me një fund të lumtur, ishte i vërtetë, kokëfortë dhe i vështirë.
Marrëdhënia e Nel dhe Sula-s është vërtet ajo që shumica prej nesh përjetojnë në rrugëtimin e komplikuar që quajmë jetë. Pavarësisht se sa keq i bënë njëra tjetrës – lidhja mes të dyjave ishte e pamohueshme si fije që nuk i pret dot, sado të duket sikur nuk i ke më ato miqësi,[mbase] nuk i sheh më, dashuria nuk fshihet si lapsi me gomë.
Si prind është e pamundur të mos plogështohem nga personazhet e Evës dhe djalit të saj Plum. Kur arrin një farë moshe ke një ndjeshmëri krejt tjetër ndaj humbjes dhe trishtimit, ke një ftohtësi arsyetimi që lidhet me humbjet jo të pakta ndër vite, vite të cilat gdhëndin empatinë, durimin apo të kundërtën e këtyre.
Sula dhe Nel përfaqësojnë dy llojet e grave, po xhanëm dy llojet e njerzve në jetë. Guximtarët dhe të kompromentuarit, racionalët, praktikët, frikacakët?! Ajo që të ndodh duke lexuar është e jashtëzakonshme, e ke të pamundur të mos ta gjesh veten të pasqyruar në sytë e të dy personazheve thuajse njësoj, edhe pse kjo logjikisht nuk ka si të jetë.
Ne jemi produkt i zgjedhjeve tona, gjithmonë duhet të bëjmë llogaritë me to. Ajo që Morrison bën kaq bukur është gjetja e fjalëve për të përshkruar ‘po sikurin?’ e famshëm që gënjejmë vetëm veten kur themi që nuk na ndodh kur mendojmë për zgjedhjet që kemi bërë.
“Sula” na ndihmon të bëjmë llogaritë me kufijtë, ato që i vëmë vetes, ato që na vënë të tjerët, ato që i shohim dhe bëjmë sikur nuk i shohim, ato që i shohim edhe kur nuk janë aty. Na ndihmon të kuptojmë tjetrin, ta pranojmë tjetrin edhe nëse zgjedhjet e tyre nuk janë dhe nuk do jenë kurrë tonat.
Disa libra, të bëjnë më të mirë nëse i lexon sepse janë shumë më shumë histori vendesh e popujsh. “Sula” është padyshim një syresh.