Bota

Sulm me armë në eventin e Shtëpisë së Bardhë, evakuohen Donald e Melania Trump!

Të shtëna me armë zjarri në darkën e gazetarëve organizuar nga Shtëpia e Bardhë, autori në pranga. Donald Trump dhe Zonja e Parë Melania u evakuuan menjëherë nga Shërbimi Sekret, ndërsa një oficer u plagos, por për fat të mirë shpëtoi falë jelekut antiplumb.

Autori i dyshuar, Cole Tomas Allen, 31 vjeç nga Kalifornia, u arrestua në vendngjarje dhe nesër pritet që të përballet me akuza.

Hetimet zbuluan se Allen me profesion mësues kishte me vete një shotgun, një pistoletë dhe thika. Ai ishte klient në hotelin Washington Hilton ku mbahej eventi, ndërsa autoritetet po analizojnë pamjet e kamerave për të kuptuar si arriti të kalonte kontrollet e sigurisë. Shërbimi Sekret theksoi se sistemi i tyre funksionoi, duke e ndaluar para se të hynte në sallën kryesore ku ndodheshin qindra të ftuar.

Presidenti amerikan, Trump publikoi foto dhe video të momentit të sulmit, duke e cilësuar autorin si “një person shumë të sëmurë” dhe duke falënderuar forcat e rendit për reagimin e shpejtë.

Unë luftova me gjithë forcën për të qëndruar, por protokolli kërkonte të largohesha. Ishte një ngjarje traumatike për Melanian, por ne nuk do të lejojmë askënd të marrë kontrollin mbi shoqërinë tonë, shkroi Trump.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë kujtoi se kjo ishte tentativa e tretë me armë ndaj tij në vitet e fundit dhe premtoi se tradita e darkës do të vazhdojë, duke u riorganizuar brenda 30 ditëve.

Do të jetë më e madhe, më e mirë dhe më e bukur. Ishte një mbrëmje e dedikuar lirisë së fjalës dhe unitetit.

Ngjarja rikujtoi atentatin ndaj presidentit Ronald Reagan në të njëjtin hotel, në vitin 1981, 45 vite më parë. Aktualisht, i dyshuari dhe oficeri i plagosur po trajtohen në spital.