Bota

Nën drejtimin e Mojtaba Khameneit, Irani nis sulme kundër Izraelit dhe vendeve të Gjirit!

Orët e para të emërimit të Mojtaba Khameneit si udhëheqës suprem të Iranit, Republika Islamike i shënoi duke lëshuar raketa dhe dronë drejt Izraelit e shteteve arabe të Gjirit, që po rrisin shkallën e zemërimit për sulmet hakmarrëse të Teheranit.

Me urdhrin tuaj, Sejid Mojtaba, Irani lëshoi valën e parë të raketave nën udhëheqjen e Ajatollah Sejed Mojtaba Khameneit drejt territoreve të pushtuara, njoftoi televizioni shtetëror iranian.

Arabia Saudite, Katari, Kuvajti, Bahrejni, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Iraku raportuan se gjatë natës, raketa dhe dronë u nisën drejt territoreve të tyre, teksa Teherani intensifikon sulmet dhe lufta e Shteteve të Bashkuara e Izraelit kundër Iranit vazhdon të përhapet në rajon.

Pak para mesnatës, më 9 mars, Irani emëroi figurën e linjës së ashpër Mojtaba Khamenein për të zëvendësuar babanë e tij, Ajatollah Ali Khamenein, si udhëheqës suprem. Ky vendim mund ta bëjë shënjestër direkte të ushtrive amerikane dhe izraelite.

Khamenei, 86-vjeçar, u vra më 28 shkurt kur forcat amerikane dhe izraelite nisën luftën kundër Iranit. Zyrtarë amerikanë dhe izraelitë, përfshirë presidentin amerikan Donald Trump, kanë paralajmëruar se çdo udhëheqës i ri mund ta ketë fatin e njëjtë sikurse të paraardhësit të tij.

Më herët, Trump e ka quajtur  emërimin e Mojtaba Khameneit në krye të Iranit si “zgjedhje të papranueshme” dhe “figurë të dobët”, duke këmbëngulur se kushdo që zgjidhet nga Teherani duhet të jetë i pranueshëm për Uashingtonin.

Në një intervistë për ABC News, Trump tha se “nëse ai [udhëheqësi i ardhshëm suprem] nuk merr miratimin tonë, nuk do të zgjasë shumë”, duke shtuar se ka “shumë njerëz që mund të kualifikohen” për këtë rol.

Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) premtoi menjëherë mbështetje për Khamenein, i cili besohet se ka lidhje të ngushta me këtë organizatë ushtarake të linjës së ashpër. Edhe shefi i forcave të rregullta të armatosura e përshëndeti emërimin që shihet si fitore për mbështetësit e linjës radikale.

Kreu i gjyqësorit iranian, Gholamhossein Mohseni Ejei, e quajti zgjedhjen e Khameneit “burim gëzimi dhe shprese”. Si udhëheqës suprem, Khamenei 56-vjeçar do të ketë fjalën e fundit në të gjitha çështjet politike dhe ushtarake, duke ushtruar pushtet pothuajse absolut në vend.

Në një intervistë për të përditshmen Times of Israel, Trump refuzoi të komentonte drejtpërdrejt emërimin e liderit të ri, duke deklaruar vetëm se:

Do të shohim se çfarë do të ndodhë.