Bota

Sulmi me 29 të plagosur në Nju Jork, identifikohet agresori!

Falë të dhënave të një karte krediti të gjetur në stacionin e metrosë të Sunset Park, policia e Nju Jorkut identifikoi të dyshuarin për sulmin e djeshëm me armë zjarri që shkaktoi 29 të plagosur. Ai është 62-vjeçari Frank James, i cili mbante maskë antigaz dhe një xhup portokalli.

I veshur si punonjës i Metropolitan Transportation Authority, agresori e pati më të thjeshtë të hynte mes turmës pa rënë në sy si person i dyshimtë. Tani po punohet për kapjen e tij. Në rrjetet sociale postonte video me natyrë shqetësuese ku fliste për të pastrehët dhe kryebashkiakun e Nju Jorkut, Eric Adams.

Agresioni nisi dje në 08:30 minuta të mëngjesit me orën lokale. Autori i dyshuar hapi zjarr me një pistoletë tip Glock dhe qëlloi të paktën 33 herë. Për autoritetet amerikane është fat që gjithçka nuk u mbyll me pasoja më të rënda, se sipas tyre, mund të kishte shkuar shumë më keq.

62-vjeçari James mori me qira një makinë në Filadelfia dhe çelësat e automjetit u gjetën në vendin e ngjarjes. Departamenti i Policisë së Nju Jorkut i bën thirrje qytetarëve që kanë informacione për këtë person, të telefonojnë agjentët.

Në disa pamje të publikuara në rrjetet sociale u panë pasagjerë të përgjakur e në panik në stacionin e metrosë.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Adams vazhdon të ndjekë me vëmendje hetimet dhe ndërsa mblidhen të dhëna, banorëve iu kërkohet të qëndrojnë larg zonës ku u vendos perimetri i sigurisë, për të lehtësuar punën e hetuesve. Në metro nuk u gjetën mjete shpërthyese nga kontrollet. Po ashtu, linja të ndryshme mes Bruklinit e Manhatanit, pezulluan lëvizjet. Masat e sigurisë u përforcuan edhe në shkollat e zonës së Bruklinit. Sulmi në Nju Jork ka rritur nivelin e alarmit në të tjera qytete amerikane, sidomos në Uashington edhe pse nuk ka kërcënime të besueshme.