Rajoni

Sulmi me granatë në godinën e komunës Zveçan/Prishtina zyrtare: Akt kriminal!

Prishtina zyrtare dënon si “akt kriminal” sulmin e mesnatës me granatë dore ndaj komunës së Zveçanit në veriun e Kosovës me shumicë serbe, pa të lënduar. Ky ishte i dyti në 48 orë po në Zveçan e që shënjestroi një stacion policie.  Kryeministri Albin Kurti tha se këto sulme “janë akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë”. Kurti u pyet teksa merrte pjesë në një aktivitet në Podujevë. Por nguli këmbë se gjendja e sigurisë në veriun e tensionuar të Kosovës “kurrë nuk ka qenë më e mirë e sigurt se sa tani”.

Keqbërës nuk është që nuk ka, mirëpo strukturat kriminale ose kanë ikur në Serbi, ose janë në burg në Kosovë, ose strehohen diku edhe jashtë rajonit tonë. Nuk kemi burime të brendshme të destabilitet potencial, apo të kërcënimit të sigurisë, të cilët nuk i menaxhojmë, e nuk ia dalim në ballafaqim me ta.

Sulmi i shkaktoi dëme ndërtesës së komunës dhe katër automjeteve të parkuara aty pranë ndërsa policia ka nisur hetimet. Në një postim në Facebook, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla fajësoi Serbinë, siç tha, “për dirigjimin” e bandave kriminale për kryerjen e sulmeve të ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri.

Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë.  Koha e pandëshkueshmërisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi e ligji do të funksionojnë në çdo cep sikurse liria dhe të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes frikës e terrorizimit.

Sulmi u dënua edhe nga ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, i cili tha se të tilla akte “nuk do të zbehin vendosmërinë e institucioneve të Kosovës për të vendosur rendin dhe për të garantuar mirëqenien për të gjithë qytetarët tanë”.

Mbrëmë grupe kriminale kanë sulmuar me granatë dore Komunën e Zveçanit. Komunat e Republikës së Kosovës janë funksionale dhe të gatshme për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të tyre, pa dallim.

Komuna e Zveçanit drejtohet nga një kryetar shqiptar që prej fillimit të vitit të kaluar. Kjo pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe i bojkotuan zgjedhjet komunale në prill 2023. Dje, Kuvendi Komunal i Zveçanit festoi 28 Nëntorin, 112-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, në një seancë solemne. Hera e parë që në Zveçan u shënua kjo ngjarje, që nuk është festë zyrtare në Kosovë.

Kryekomunari, Ilir Peci e dënoi shpërthimin. Në një postim në Facebook shkruan:

Si kryetar i Komunës, unë e dënoj fuqishëm këtë akt të papranueshëm të dhunës dhe terrorit ku para dy ditësh ka ndodhur i njëjti sulm në stacionin policor të Komunës së Zveçanit.