Rajoni

Mjet shpërthyes ndaj godinës së Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës!

Sulmohet me mjet shpërthyes që dyshohet të jetë granatë dore, godina e Komunës së Zveçanit në veri të Kosovës. Ngjarja ndodhi rreth mesnate siç raportoi për Radion Evropa e Lirë, zv.drejtori i Policisë së Kosovës për veriun, Veton Elshani.

Mbrëmë para mesnatës pati një shpërthim që ne dyshojmë se ishte granate dore e llojit M-75, tha Elshani.

Elshani vuri në dukje se sulmi i shkaktoi dëme ndërtesës së Komunës dhe katër automjeteve të parkuara aty pranë por nuk ka të lënduar e policia nisi hetimet. Elshani theksoi se ende nuk ka identifikuar ndonjë të dyshuar si autor të këtij sulmi. Në dy ditët e fundit, ky është i dyti sulm ndaj institucioneve në Zveçan, komunë e banuar me shumicë serbe. Më herët u hodhën dy granata dore në një stacion policor nga persona që ende nuk janë identifikuar.

Komuna e Zveçanit drejtohet nga një kryetar shqiptar prej fillimit të vitit të kaluar pasi serbët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës dhe bojkotuan zgjedhjet komunale në prill 2023.

Siç dihet, vitet e fundit, në veri të Kosovës janë regjistruar një sërë sulmesh të tilla. Rastet e hedhjes së mjeteve shpërthyese dhe djegiet e makinave u rritën sidomos gjatë periudhës kur po zbatohej vendimi i Qeverisë së Kosovës për konvertimin e targave serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Prej asaj kohe, tensionet në veri vazhdojnë të jenë kryesisht të larta, gjithashtu për shkak të atyre që Qeveria e Kosovës i konsideron si “hapa për shtirjen e sovranitetit në këtë pjesë”.  Në fillim të kësaj jave, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se në fshatin Izvor të Zveçanit po ndërtohet një nënstacion i ri policor.

Përfaqësuesit e komunitetit serb kundërshtojnë ndërtimin e stacioneve policore apo të tjera bazave policore dhe kjo me arsyetimin se ata janë të ekspozuar ndaj “presioneve e diskriminimit” nga ana e Policisë së Kosovës. Drejtori i asaj që njihet si Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, e quajti ndërtimin e stacioneve të reja si “një mjet shtesë për shtypjen dhe dëbimin e popullatës serbe”.