Ka shkuar në 165 numri i viktimave nga sulmet që goditën një shkollë vajzash në qytetin e Minabit në Iran.
Sipas autoriteteve iraniane, shkolla ndodhej rreth 600 metra larg një baze të Gardës Revolucionare Islamike dhe është goditur nga tre sulme me raketa. Megjithatë theksohet se, numri i viktimave nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur nga organizatat ndërkombëtare të lajmeve, pasi aksesi i mediave të huaja në Iran është i kufizuar.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) ka deklaruar se ushtria izraelite “nuk është në dijeni” për ndonjë operacion në atë zonë. Ai shtoi se edhe autoritetet amerikane po punojnë për të verifikuar informacionin mbi incidentin.
Ngjarja ka rritur tensionet në rajon, ndërsa pritet një reagim zyrtar i mëtejshëm nga palët e përfshira.
Forcat Ajrore të Izraelit kanë publikuar një video, e cila sipas tyre tregon momentin e një sulmi ndaj selisë së Forcave të Armatosura të Iranit.
Bashkangjitur videos, Forcat Ajrore izraelite kanë shkruar: ‘Shkatërrimi i selisë së regjimit terrorist iranian në zemër të Teheranit.’
Ndërkohë tre ushtarakë amerikanë janë vrarë deri në mëngjesin e së dielës gjatë Operacionit “Epic Fury”, ndërsa pesë të tjerë ndodhen në gjendje të rëndë, njoftoi Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) në platformën X.
LEXO EDHE: “48 udhëheqës iranianë u vranë nga sulmet SHBA-Izrael”, Trump optimist: Ofensiva po vijon!
Sipas deklaratës së CENTCOM-it, disa ushtarakë të tjerë kanë pësuar plagë të lehta nga copëza shpërthimesh dhe tronditje cerebrale, por po rikthehen gradualisht në detyrë. “Operacionet kryesore luftarake vazhdojnë dhe reagimi ynë është ende në zhvillim,” thuhet në njoftim. Autoritetet shtuan se, për respekt ndaj familjeve, nuk do të publikohen detaje të tjera – përfshirë emrat e ushtarëve të vrarë – deri 24 orë pasi të jenë njoftuar të afërmit e tyre.