Bota

Sulmi ajror ndaj Iranit, Guardian: Trump e bazon te vlerësimi i Witkoff-it e Kushner-it!

Vendimin për sulm ajror ndaj Iranit, Donald Trump do ta bazojë në vlerësimin e të dërguarve të tij Steve Witkoff dhe Jared Kushner, lidhur me qasjen që do të ketë Teherani për të hequr dorë nga kapaciteti për të prodhuar armë bërthamore.

Presidenti ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar për ndonjë goditje, ndërsa administrata përgatitet për propozimin e fundit të Iranit këtë javë, para raundit të fundit të negociatave të planifikuara për të enjten në Gjenevë, raporton The Guardian.

Bisedimet udhëhiqen nga Witkoff e Kushner, vlerësimi i të cilëve për mundësinë e një marrëveshjeje do të ndikojë në llogaritjet e Trump-it.

Nëse nuk ka marrëveshje, Trump u ka thënë këshilltarëve se po konsideron sulme të kufizuara për të ushtruar presion ndaj Iranit dhe nëse ato dështojnë, pritet një sulm shumë më i madh për të detyruar ndryshim regjimi.

Një zyrtar amerikan tha se Witkoff është pjesë e grupit që këshillon Trump-in për vendimin si të veprojë me Republikën Islamike dhe ka qenë i përfshirë në të gjitha takimet lidhur me këtë. Ndërkaq, javët e fundit ka kërkuar mendime nga një gamë e gjerë zyrtarësh në West Wing, opinione për atë që duhet të bëjë me Iranin.

Këshilltarët kryesorë përfshijnë zv.presidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, sekretarin e Mbrojtjes, Pete Hegseth, gjeneralin Dan Caine (shef i Shtabit të Bashkuar), Susie Wiles (shefe e stafit të Shtëpisë së Bardhë) dhe Tulsi Gabbard (drejtore e Inteligjencës Kombëtare).

Mësohet se Vance paraqiti të dyja anët e argumentit për goditje ajrore, por shtyu gjeneralin Caine për rreziqet e mundshme, pasi ishte shumë më pak i sigurt për suksesin e sulmit ndaj Iranit krahasuar me operacionin për kapjen e presidentit venezuelian, Nicolás Maduro.