Bota

Pentagoni: Të gjitha opsionet janë të hapura ndaj Iranit!

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth tha se Shtetet e Bashkuara po mbajnë të hapura të gjitha opsionet në qasjen ndaj Iranit, duke nxitur Teheranin të negociojë një marrëveshje. Gjatë një vizite në Kolorado, Hegseth përsëriti se presidenti Donald Trump preferon një zgjidhje diplomatike, por theksoi se ushtria amerikane është e përgatitur me plane alternative nëse Irani refuzon të arrijë një marrëveshje.

Irani duhet të bëjë një marrëveshje. Irani ka mundësi të bëjë një marrëveshje. Ky është rezultati që presidenti preferon. Detyra jonë është të ofrojmë opsione dhe ne do të kemi opsione për presidentin nëse Irani vendos të mos pranojë një marrëveshje.

I pyetur nëse goditjet ushtarake mbeten në konsideratë, Hegseth u përgjigj se “gjithçka është në tavolinë”

Eshtë vendimi i presidentit. Ne jemi këtu për të ndihmuar që të sigurohet një marrëveshje. Dhe mendoj se Irani do të ishte i mençur të bënte një marrëveshje të mirë.

Më herët dje, Trump hodhi poshtë raportimet mediatike që thonin se kryetari i Shtabit të Përbashkët, Gjenerali Dan Caine, ka këshilluar presidentin dhe zyrtarët e lartë se veprimet ushtarake ndaj Iranit mund të kenë rreziqe të mëdha e të lënë SHBA-të të përfshira në një konflikt të zgjatur në rajon.

Trump theksoi se çdo vendim për veprime ushtarake do të varet përfundimisht nga ai.

Unë jam ai që marr vendimin. Do të preferoja një marrëveshje, por nëse nuk bëjmë një marrëveshje, do të jetë një ditë shumë e keqe për atë vend e për fat të keq, për popullin e tij, sepse njerëzit janë të mrekullueshëm e të shkëlqyer dhe diçka si kjo nuk duhet t’u kishte ndodhur kurrë.

Delegacionet nga Irani dhe Amerika pritet të ribashkohen në Gjenevë të Zvicrës, të enjten për të rifilluar bisedimet për një marrëveshje të mundshme bërthamore, mes tensioneve në rritje rajonale dhe spekulimeve për një luftë të afërt.

Ky zhvillim vjen në një kohë kur tensionet SHBA-Iran janë të larta, me SHBA-të që kanë ndërmarrë goditje ushtarake më herët kundër objekteve bërthamore iraniane (si në vitin 2025) e tani po shtyjnë për një marrëveshje të re që të parandalojnë programin bërthamor të Teheranit, ndërsa Irani këmbëngul në të drejtën e tij për pasurim uraniumi për qëllime paqësore.