Bota

Ofensiva amerikane në ditën e 5-të, goditen objektiva ushtarake në Iran!

Ushtria amerikane ka vijuar për të pestën ditë radhazi sulmet ndaj Iranit, në një operacion që sipas Pentagonit, synon të dobësojë aftësinë e Teheranit për të kërcënuar anijet që kalojnë në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme detare për tregtinë globale të naftës.

Gjatë natës janë raportuar shpërthime në disa zona të Iranit, përfshirë Bandar Abbasin, Ahvazin dhe Chabaharin.

Mediat shtetërore iraniane njoftuan se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan edhe në pjesë të Teheranit, ndërsa sulme u raportuan edhe në rajonet qendrore dhe veriore të vendit. Sipas Ministrisë iraniane të Shëndetësisë, më shumë se 260 persona kanë mbetur të plagosur nga sulmet e fundit amerikane.

Pentagoni bëri të ditur se vala e fundit e sulmeve ka goditur qendra komanduese, sisteme të mbrojtjes ajrore, kapacitete raketore dhe dronësh, si edhe objekte të mbikëqyrjes bregdetare. Më herët, forcat amerikane kishin shënjestruar edhe ishullin strategjik Tunbi i Madh në Gjirin Persik.