Java e 28 e Superiores nisi me supersfidën e pretendentëve, mes Egnatias dhe Vllaznisë, e luajtur në Rrogozhinë dhe e mbyllur pa gola.
Pjesa e parë nisi me ritëm të lartë nga vendasit, që tentuan disa herë të gjenin golin me Albanesen dhe Jahajan në minutat e para, por u ndalën nga portieri Pohls.
Ekuipi i Edlir Tetovës u tregua dominues në pjesën e parë, por rrjetat qëndruan të paprekura.
Në pjesën e dytë shkodranët tentuan të reagonin, ndërsa gjërat u vështirësuan për rrogozhinasit, të cilët ngelën me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të Xhemajlit në minutën e 71’.
Në pjesën e mbetur të lojës ekipet tentuan të gjenin golin, por asnjë nga rrjetat nuk u tund.
Kështu dy pretendentët e këtij sezoni ndajnë pikët, me Vllazninë që ruan vendin e parë me 52 pikë, dy më shumë se Egnatia e vendit të dytë, ndërsa Elbasani ka shansin e artë të përfitojë për t’iu bashkuar shkodranëve në krye nëse fiton me Flamurtarin.
Të shtunën do të zhvillohen dy ndeshjet e tjera të javës së 28-të të “Abissnet Superiore”. Tirana, që mban vendin e fundit në renditje, do të presë Bylisin në stadiumin “Selman Stërmasi”, në orën 15:00. Një përballje direkte për mbijetesën, ku të dyja skuadrat do të kërkojnë pikët maksimale.
Po të shtunën, në orën 18:00, në stadiumin “Flamurtari” do të luhet sfida Flamurtari – AF Elbasani. Një ndeshje e rëndësishme mes dy ekipeve që synojnë fitoren, Flamurtari për objektivin e mbijetesës, ndërsa AF Elbasani për t’u afruar me kreun e renditjes.
Java e 28-të do të mbyllet të dielën me dy përballjet e fundit. Në orën 15:00, në stadiumin “Vora”, do të zhvillohet ndeshja Vora – Partizani, ndërsa në mbrëmje, në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”, Dinamo City do të përballet me Teutën.
Java 28
Egnatia – Vllaznia 0 – 0
14.03.2026
Tirana – Bylis, ora 15:00
Flamurtari – AF Elbasani, ora 18:00
15.03.2026
FK Vora – Partizani, ora 15:00
Dinamo City – Teuta, ora 18:00