Studiuesve që po zhvillojnë vaksina për të trajtuar kancerin u është dhënë akses në një nga superkompjuterët më të fuqishëm të Inteligjencës Artificiale (Al) në Mbretërinë e Bashkuar. Ekipi në Departamentin e Mjekësisë Nuffield të Universitetit të Oksfordit do të lejohet të përdorë pajisjen, të njohur si Dawn, për 10,000 orë si pjesë e një skeme qeveritare. Ata do të analizojnë dhjetëra mijëra grupe të dhënash nga pacientët me kancer për të provuar të dallojnë modele.
Dr. Lennard Lee, i cili po drejton projektin, tha: “Ndjehet si fantastiko-shkencore, megjithatë është një realitet, është viti 2025, kjo teknologji është këtu dhe ne do ta provojmë.” Duke shpjeguar se si do të përdoret superkompjuteri, Dr. Lee tha: “Problemi me të cilin po përballemi është se kanceri është thjesht shumë kompleks.” “Kjo do të thotë që ne mund të përpunojmë grupe të mëdha të dhënash shpejt, në mënyrë që të mund të shohim dhjetëra mijëra dhe të dallojmë modele të fshehura. Ajo që po na jep kjo është diçka vërtet e veçantë dhe ka të bëjë me shpejtësinë dhe shkallën.”
Hulumtuesit shpresojnë të bëjnë zbulime, ndërkohë që kontribuojnë edhe në Atlasin e Neoantigjenit të Oksfordit, një platformë online me qasje të hapur që mbështet kërkimin për vaksinën kundër kancerit në të gjithë Mbretërinë e Bashkuar. “Ajo që mendojmë se do të jemi në gjendje të bëjmë është të hapim rrugën për të hartuar vaksina që thjesht nuk ishin të mundura më parë”-tha Dr.Lee.
Ndërkaq, një studim i ri tregon se beta-HPV mund të integrohet në ADN dhe të nxisë zhvillimin e kancerit, veçanërisht tek personat me imunitet të dobësuar. Shkencëtarët kanë arritur në një zbulim mbresëlënës që mund të ndryshojë mënyrën si e kuptojmë një nga format më të shpeshta të kancerit në botë. Një tip i zakonshëm i virusit human papilloma (HPV), i njohur si beta-HPV, mund të jetë shumë më i rrezikshëm se sa mendohej më parë. Deri më tani besohej se ky virus thjesht përkeqësonte dëmtimet e lëkurës të shkaktuara nga rrezatimi UV. Një studim i ri tregon se ai mund të marrë drejtpërdrejt kontrollin mbi qelizat dhe të nxisë zhvillimin e kancerit.