Aktualitet Politikë

Takimi inaugurues i Komitetit të Përbashkët Konsultativ/Rama: BE-ja na surprizoi me gatishmërinë për të na anëtarësuar!

Në takimin inaugurues të Komitetit të Përbashkët Konsultativ Ekonomik dhe Social të BE-së, kryeministri Edi Rama vlerësoi kontributin e presidentit të tij, Oliver Röpke në këtë proces.

Ne e vlerësojmë këtë veçanërisht, sepse falë mënyrës së hapur e gatishmërisë së Presidentit dhe ekipit të tij, jemi mirëpritur brenda kështjellës së Brukselit si të barabartë e madje, na është dhënë mundësia për t’u ndjerë, se si është kjo ndjesia e të qenit i barabartë në këtë kështjellë.

Kështu që kjo është diçka tepër e veçantë. Nga ana tjetër, jam entuziast që komiteti do të shërbejë për qëllimin e ndihmës, për qëllimin që të nxisë aktorët tanë të rriten e të bëhen një pjesë e rëndësishme e anëtarësisë së Shqipërisë dhe pjesëmarrjes së Shqipërisë në jetën e familjes europiane, si anëtare e barabartë shpejt, besoj dhe dëshiroj.

Kryeministri vuri në dukje se është hera e parë që yjet e Shqipërisë janë në një linjë me atë të BE-së.

Që kur kujtoj prej herës së parë kur e nisëm këtë rrugëtim të gjatë, më shumë se 30 vjet më parë, është herë e parë që kur kujtoj që yjet tona janë në një linjë me yjet e Bashkimit Europian, jo vetëm sa i takon të ardhmes e perspektives, por edhe sa i takon së tashmes. Sepse sigurisht që Bashkimi Europian ka qenë shumë i kujdesshëm të thotë që vendi ynë është në Europë, një ditë do të jemi në Europë, që horizonti është vendi ku do të bashkohemi. Por, nuk e kemi ndjerë kurrë atë që ndjejmë së fundmi, gatishmërinë për ta bërë këtë realitet dhe për ta bërë realitet tani.

Kryeministri theksoi se Shqipëria ka mundësinë që brenda këtij viti, të hapë të gjithë grupkapitujt për negociatat.

Ka shumë njerëz që sot përpiqen të thonë që nuk do të ndodhë dhe ajo çfarë po përpiqemi t’u themi që duhet të mobilizohemi, duhet të bëjmë më të mirën për t’i vënë të gjitha energjitë në këtë drejtim, është thjesht një iluzion thonë apo është propagandë, po ku e di unë se çfarë, sepse nuk ka ndodhur në 12 vjet, atëherë pse duhet të ndodhë në 4 vitet e ardhshme?

Por, sigurisht këta njerëz nuk janë shumë mirë të informuar që Mali i Zi i ka çelur negociatat që më 2012-ën, Serbia i ka çelur që më 2014-ën, Maqedonia e Veriut kishte një emër tjetër, kur u bë vend kandidat më 2005-ën dhe sot ne e gjejmë veten tonë në pararojë, pasi çelëm negociatat vitin e kaluar e këtë vit, siç tha dhe zoti Röpke kemi një shans të mirë që të hapim të gjithë grup kapitujt.

Ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato, deklaroi se në procesin e integrimit të vendit drejt Unionit duhet të përfshihet edhe shoqëria civile.

Proces që përfshin të gjithë shoqërinë. Nuk mund të lihet vetëm për shoqërinë dhe Kuvendin, por organizatat e shoqërisë civile duhet të luajnë një rol të rëndësishëm në këtë proces. Këto vende do të duhet të përfshijnë shoqërinë civile në të gjithë punën që do të bëhet, para se të bëhen pjesë e familjes tonë. Të ecësh përpara në BE kërkon angazhim politik, të qytetarëve dhe shoqërinë civile. Qeveria mund të përfitojë nga ekspertiza dhe njohuritë e shoqërisë civile. Shoqëritë civile të luajnë rol pro aktiv. Në kontekstin e anëtarësimit të BE, pjesëmarrja në vendimmarrje e shoqërisë civile është e rëndësishme.

Kreu i Komitetit Ekonomik e Social në Bashkimin Europian (BE), Röpke, theksoi se “Shqipëria ka përmbushur kushtet e shkëlqyera për të ecur përpara në procesin e integrimit në BE”. Ai shprehu mbështetje të fortë për zgjerimin e Bashkimit Europian në Ballkan, duke vlerësuar përpjekjet dhe angazhimin e Shqipërisë.