Kryeministri Edi Rama u shpreh sot gjatë rubrikës “Sy m’Sy” në platformat sociale se Shqipëria renditet e para në klasifikimet e Bashkimit Europian për shërbimet dhe funksionalitetin e administratës publike. Një qytetar e pyeti Ramën për alternativën e re pas 12 viteve kryeministër, ndërsa sipas tij, institucionet e shtetit janë të mbushur me individë të nivelit somalez.
Për të hyrë në BE, dhe që ta dish ti, BE-ja ka jo një 1, 2, 3, 4, por dhjetëra persona që merren pikërisht me këto tema dhe një nga temat është monitorimi i funksionimit të administratës që do të thotë se po të jetë se do të kishte diçka të vërtetë në këtë që thua ne nuk do të ishim sot vendi me kalendarin e miratuar bashkarisht me Komisionin Europian për mbyllur negociatat deri më 2027-ën e për t’u bërë anëtarë të BE-së. Nëse shikon raportet e bëra nga ekspertët e BE për funksionimin e administratës do të shikosh që Shqipëria është në vendin e parë në rajon në klasifikim.
Shefi i ekzekutivit i kujtoi qytetarit se nuk ka nevojë që të drejtohet në institucione për të gjetur zgjidhjen e problemeve, për sa kohë që ekziston platforma e-Albania, ku ofrohen 95% e shërbimeve online.
Ti ke platformën e-Albania ku të gjitha shërbimet 95%, përveç pasaportës ku duhet të lesh gjurmët e gishtave apo kur duhet të martohesh, një grup i vogël shërbimesh janë ende pa akses të plotë në e-Albania. Pse duhet të shkosh, çfarë do zgjidhësh që nuk ta zgjidh e-Albania? Alternativa ime është më e qartë më e kthjellët dhe më e dukshme se kurrë: Shqipëria në BE dhe gjithë kjo rrugë ka qenë e mundimshme, por për ta sjellë këtu, jemi një hap larg. Eshtë konkrete, reale, aktuale. Lëri këto përralla me mbret dhe fokusohu te Shqipëria në BE, kjo është e gjitha.
Kryeministri theksoi se me futjen e Shqipërisë në familjen europiane do të ketë një seri gjërash plus, nga ato në nivelin personal dhe më tepër.
Kur futemi në BE, ne do të kemi shumë gjëra plus nga ato që kemi sot në nivelin personal. Ti do të kesh një pasaportë europiane që ty do të të bëjë qytetar europian të barabartë me qytetarët e BE-së për të hyrë në çdo vend të BE-së pa të nxjerrë te radha tjetër, te polici që të bën pyetje, apo nga e drejta e qëndrimit aty për çfarëdo që ty të intereson, bashkë me mobilitetin tënd edhe si një forcë pune.