Aktualitet Rajoni

Tarifa tregtare amerikane ndaj dhjetëra shteteve, përfshirë Shqipërinë në Ballkan!

Tarifa tregtare amerikane ndaj dhjetëra shteteve, përfshirë Shqipërinë në Ballkan. Në mbrëmje vonë, presidenti Donald Trump prezantoi shkallët e reja tarifore për shumë partnerë tregtarë të Shteteve të Bashkuara e njoftoi se tarifat ndaj 69 vendeve do të hyjnë në fuqi më 7 gusht.

Në vendimin e publikuar nga Shtëpia e Bardhë u bë e ditur se mallrat e çdo vendi partner tregtar që nuk përfshihen në aneksin e urdhrit do të jenë subjekt i taksës prej 10% bazuar në urdhrin ekzekutiv të prillit. Në atë dokument, vendi ynë, Kosova dhe Mali i Zi ishin goditur me taksë bazë  10%. Sipas modifikimeve të fundit, ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor aplikohen tarifa më të larta: Maqedonia e Veriut 15%, Bosnjë-Hercegovina 30 dhe Serbia 35%.

Në nivel botëror, vendet më të goditura nga tarifat amerikane rezultojnë Siria, Laosi dhe Mianmari me tarifa deri në 41%. Përmes këtyre masave, Trump synon të transformojë sistemin tregtar botëror, të cilin e konsideron të padrejtë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Deri tani, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Europian e disa vende kanë arritur marrëveshje tregtare.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë e bëri këtë njoftim pak para se të skadonte afati 90-ditor që kishte vendosur në muajin prill për pezullim të tarifave që kishte prezantuar muaj më parë, me qëllim të ofrimit të hapësirës për të negociuar me partnerët tregtarë.

Administrata e tij ka thënë se pritet të arrihen edhe marrëveshje tjera tregtare në ditët në vijim. Tarifat nënkuptojnë që kompanitë, të cilat dërgojnë mallra në Shtetet e Bashkuara do të duhet t’i paguajnë taksë qeverisë amerikane. Ekspertët besojnë se këto kompani mund t’i shkarkojnë shpenzimet te konsumatorët dhe për pasojë kjo mund të rrisë çmimet e mallrave.