Bota

Tarifat amerikane 30%, ambasadorët e BE-së mblidhen sot!

Në përgjigje të njoftimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës lidhur me vendosjen e tarifave prej 30% ndaj Bashkimit Europian, një takim i përfaqësuesve të përhershëm të 27 vendeve anëtare të BE-së, i njohur si Coreper, është thirrur për sot pasdite.

Ky vendim vjen menjëherë pas deklaratës së presidentit Donald Trump, që ka ngjallur shqetësime të thella në Bruksel dhe në kryeqytetet europiane. Takimi pritet të diskutojë strategjitë e mundshme dhe kundërmasat që BE-ja mund të ndërmarrë për të mbrojtur interesat e saj ekonomike.

Bashkimi Europian shprehu zhgënjim për kërcënimin e presidentit Trump për të vendosur tarifa 30% mbi importet e tyre nga 1 gushti. Trump ka paralajmëruar se do të vendosë taksa edhe më të larta importi nëse njëri nga partnerët tregtarë amerikanë vendos të hakmerret.

Këtë javë, njoftoi edhe tarifa të reja për mallrat nga Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja e Brazili që pritet të  aplikohen nga muaji i ardhshëm. Në letrën dërguar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Trump flet për një marrëdhënie jo reciproke mes SHBA-ve e BE-së.

Ne kemi pasur vite për të diskutuar marrëdhëniet tona tregtare me Bashkimin Europian dhe kemi arritur në përfundimin se duhet të largohemi nga këto deficite tregtare afatgjata të mëdha e të vazhdueshme, të krijuara nga tarifat tuaja dhe politikat jotarifore e barrierat tregtare. Marrëdhënia jonë ka qenë, për fat të keq, larg reciprokes, thuhet në letër.

BE-ja ka qenë objektiv i shpeshtë i kritikave të Trump-it. Më 2 prill, propozoi një tarifë 20% për mallrat nga blloku, si dhe dhjetëra partnerë të tjerë tregtarë. Më pas kërcënoi se do të rrisë taksat e importit të BE-së në 50% pasi bisedimet tregtare ngecën.

Uashingtoni dhe Brukseli kishin shpresuar të arrinin një marrëveshje përpara afatit të 9 korrikut, por nuk ka pasur njoftime për progresin. Vitin e kaluar, deficiti tregtar i SHBA-ve me bllokun ishte 235.6 miliardë dollarë, sipas zyrës së përfaqësuesit të tregtisë amerikane.

Von der Leyen tha se BE-ja mbetet e gatshme “të vazhdojë të punojë drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht”.

Ne do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë miratimin e kundërmasave proporcionale nëse kërkohet. Pak ekonomi në botë përputhen me nivelin e Bashkimit Europian të hapjes dhe respektimit të praktikave të drejta tregtare.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron u shpreh “absolutisht jo dakord” me njoftimin e Trump-iy.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, udhëheqësi francez sugjeroi planin e BE-së duke përshpejtuar përgatitjen e kundërmasave të besueshme.

Disa udhëheqës të BE-së bënë thirrje për marrëveshje me Trump-in.

Nuk do të kishte kuptim të shkaktohej një luftë tregtare midis dy anëve të Atlantikut, tha kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Kryeministri holandez Dick Schoof:

BE-ja duhet të mbetet e bashkuar dhe e vendosur në synimin e saj për të arritur një marrëveshje reciprokisht të dobishme me SHBA-të.

Shoqata Gjermane e Industrisë së Automobilave paralajmëroi mbi perspektivën e rritjes së kostove për prodhuesit dhe furnizuesit gjermanë të makinave e tha se ishte “për të ardhur keq që ekziston një kërcënim i një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit tregtar”.

Që nga dje, tani administrata Trump ka propozuar kushte tarifore për 24 vende dhe BE-në.