Bota

Trump shpalli tarifa 30% për produktet e BE-së, reagon Von der Leyen: Jemi gati për kundërpërgjigje!

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave 30% ndaj produkteve evropiane të importuara në SHBA, duke paralajmëruar se ky veprim do të prishë seriozisht zinxhirët transatlantikë të furnizimit dhe do të dëmtojë ekonominë në të dy anët e Atlantikut.

Në një deklaratë zyrtare, von der Leyen theksoi se Bashkimi Evropian është i gatshëm të marrë masa të nevojshme për të mbrojtur interesat e tij në rast se tarifat hyjnë në fuqi nga 1 gushti.

Vendosja e tarifave prej 30% mbi eksportet e BE-së do të prishte zinxhirët kryesorë të furnizimit transatlantik, në dëm të bizneseve, konsumatorëve në të dy anët e Atlantikut,” deklaroi ajo.

“Pak ekonomi në botë janë aq të hapura dhe të drejta në praktikat tregtare sa Bashkimi Evropian”, theksoi Ursula von der Leyen.

Ajo paralajmëroi se Bashkimi Evropian është i përgatitur për kundërmasa proporcionale nëse SHBA nuk tërhiqet nga vendimi.

“Ne mbetemi të gatshëm të vazhdojmë të punojmë drejt një marrëveshjeje deri më 1 gusht. Në të njëjtën kohë, do të marrim të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur interesat e BE-së, duke përfshirë marrjen e kundërmasave proporcionale nëse është e nevojshme,” thuhet në deklaratë.

Presidenti Donald Trump njoftoi të shtunën vendosjen e një tarife 30% mbi importet nga Meksika dhe Bashkimi Europian, që do të hyjë në fuqi më 1 gusht, pasi javë negociatash me këta partnerë të rëndësishëm tregtarë nuk sollën një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Tarifat e reja u bënë publike përmes letrave të ndara të postuara në rrjetin social Truth Social. Më herët gjatë javës, Trump shpalli edhe tarifa të reja ndaj disa vendeve të tjera, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Kanadanë dhe Brazilin, si dhe një tarifë 50% mbi bakrin.

Bashkimi Europian kishte shpresuar të arrinte një marrëveshje të plotë tregtare me Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë edhe eliminimin e tarifave për mallrat industriale. Por pas muajsh negociatash të vështira, blloku 27-anëtarësh është detyruar të pranojë mundësinë e një marrëveshjeje të përkohshme, me shpresën se një marrëveshje më e mirë mund të negociohet në të ardhmen.