“Lufta e tarifave”, shefja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen dhe presidenti amerikan, Donald Trump, sot takohen në Skoci, disa ditë para afatit të fundit për tarifat e reja të larta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me importet e produkteve të Bashkimit Europian.
Takimi do të mbahet në Turnberry, ku dje Trump kaloi kohën duke luajtur golf. Bisedimet vijnë pas javësh negociatash intensive mes Brukselit dhe Uashingtonit zyrtar.
Para se të nisej për në Skoci, shefi i Shtëpisë së Bardhë përsëriti qëndrimin se shanset për një marrëveshje, i shihte në raportin 50-50, duke ritheksuar komentet e bëra edhe më parë.
Ne po takohemi me Bashkimin Europian dhe në fakt, kjo do të ishte marrëveshja më e madhe nga të gjitha, nëse e arrijmë.
Takimi i kësaj të diele vjen disa ditë para 1 gushtit, kur presidenti amerikan Trump paralajmëroi se do të vendoste tarifa prej 30% për importet nga Bashkimi Europian për shkak të çekuilibrave të dyshuara tregtare.
Megjithatë, ndër të tjera la të hapur mundësinë e heqjes dorë nga norma më e lartë e tarifave nëse blloku hap më shumë nga tregu i tij për Shtetet e Bashkuara.
Siç dihet, Bashkimi Europian është përpjekur të arrijë një marrëveshje me Uashingtonin për javë të tëra, me qëllim shmangien e rritjes së tarifave për produktet europiane.
Takimi do t’iu japë Von der Leyen-it e Trump-it një shans për të vlerësuar dhe shqyrtuar mundësitë për një rezultat të ekuilibruar që ofron stabilitet dhe parashikueshmëri për bizneset dhe konsumatorët në të dyja anët e Atlantikut, vuri në dukje një zëdhënëse e presidentes së Komisionit Europian.