Aktualitet

Tatimet do të analizojnë borxhet tatimore mbi 1 mijë lekë, kur rrezikohet sekuestrimi i makinës!

Bizneset dhe individët me detyrime tatimore të papaguara mbi 1 mijë lekë duhet të mendojnë për shlyerjen, pasi rrezikojnë t’i nënshtrohen një kontrolli të detajuar, proces që zbatohet për mbledhjen me forcë të debisë të pashlyer për një kohë të gjatë.

Tatimet pohojnë se detyrimet e papaguara tatimore me vlerë mbi 1 mijë lekë, për të cilat bëhet analizë risku, përfshijnë të gjitha llojet e taksave që arkëtohen prej administratës tatimore, si kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, TVSH, Tatim për të ardhurat, Tatim mbi pagat, etj. Por, mosshlyerja për një kohë të gjatë, përtej afatit ligjor, të detyrimeve tatimore mund të çojë deri në sekuestrimin e mjetit.

Tatimet shpjeguan se nuk do të sekuestrohet makina për vetëm 1 mijë lekë të papaguara, por për çdo borxh që është mbi këtë shumë dhe rezulton i papaguar prej vitesh, Tatimet fillojnë një analizë të veçantë të riskut për të vendosur masat që duhen marrë.

Tatimet tashmë kanë një marrëveshje me Shërbimin e Transportit Rrugor dhe mund të kontrollojnë menjëherë nëse debitorët disponojnë mjet në emër të tyre.

Kjo i ndihmon të reagojnë më shpejt. Pas marrëveshjes së nënshkruar mes Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve (DPT) dhe Drejtorisë së Shërbimit të Transportit Rrugor (DSHTRR), tashmë në kohë reale, Tatimeve iu mundësohet evidentimi i të dhënave për mjetet e debitorëve.

Risia e marrëveshjes së nënshkruar është evidentimi në kohë reale e të dhënave për mjetin e debitorëve tatimorë.

Pas dërgimit të shkresës, informacioni për mjetin e debitorit vihej në dispozicion pas 1 apo 2 javësh. Me marrëveshjen e nënshkruar, të dhënat gjenerohen automatikisht në sistem, pohojnë Tatimet.

Por, sekuestrimi i makinës për tatimet, pas vendosjes së titullit ekzekutiv që ekzekutohet prej përmbaruesve, nuk vjen menjëherë.

Sipas administratës tatimore, debitorit i dërgohen njoftime të njëpasnjëshme që i kujtojnë për shlyerjen e detyrimit. Nëse pas njoftimeve nuk merren masa për shlyerjen, i dërgohet njoftimi i barrës hipotekore dhe barrës siguruese, ku njoftohet që për tatimin e pashlyer do t’i sekuestrohet mjeti që ka në dispozicion.

Më herët, Administrata Tatimore iu bëri thirrje të gjithë qytetarëve dhe bizneseve që kryejnë transaksione shit-blerjeje për mjete të përdorura, të tregojnë kujdes e të verifikojnë statusin tatimor të pronarit të mjetit përpara finalizimit të marrëveshjes.

Çdo mjet që është në pronësi të një tatimpaguesi debitor (pra që ka detyrime të papaguara ndaj shtetit) mund të jetë subjekt i masave të sigurimit, si bllokim apo sekuestrim nga AT. Në raste të tilla sipas administratës tatimore, transaksioni i shitjes mund të rezultojë i pavlefshëm./ Monitor