Deri tani për skemën e kompensimit të naftës te transporti publik kanë aplikuar 26 operatorë që operojnë me linjat qytetase, ndërqytetëse dhe rrethqytetës.
Të dhënat për aplikimet për periudhën 1 Qershor deri më 9 Korrik u bënë publike nga administrata tatimore.
Sipas skemës të miratuar nga qeveria, për shkak të rritjes së çmimit të naftës gjatë periudhës së luftës në Iran, operatorët do të përfitojnë subvencionim me vlerë 50 lekë për litër.
Kompensimi do të llogaritet mbi shumën e konsumit të karburantit për periudhën mars, prill, maj 2026, por jo më shumë se sasia e konsumuar për të njëjtën periudhë të vitit 2025, për secilën nga shoqëritë.
Kërkesat dhe dokumentacioni përkatës nga operatorët me qëllim përfitimin e kompensimit do të dorëzohen çdo muaj pranë administratës tatimore. Afati i pranimit të kërkesave është deri më 1 gusht 2026.
Subjektet kërkuese duhet të paraqesin pranë administratës tatimore, dokumentacionin përfshirë:
a) Kërkesën, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi;
b) Kopjen e licencës përkatëse të vlefshme për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;
c) Të dhënat identifikuese të subjektit tatimpagues të pajisur me NIUS;
ç) Emrin e bankës, ku subjekti përfitues ka llogarinë rrjedhëse bankare;
d) IBAN-in e llogarisë bankare, jo më shumë se 28 karaktere dhe në monedhën lekë;
dh) Për shoqëritë që kryejnë vetëm aktivitet të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, kopje të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 dhe 2026;
e) Për shoqëritë, që përveç aktivitetit të transportit qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës ushtrojnë edhe aktivitete të tjera, përveç kopjeve të faturave fizike të furnizimit me karburant për periudhën mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, duhet të paraqesin edhe:
i. vetëdeklarim të sasisë së karburantit të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës;
ii. kopje të fletëdaljeve të karburantit gjatë muajve mars, prill, maj të viteve 2025 e 2026, të përdorur për transportin qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës, sipas targave të mjeteve./Monitor