Aktualitet

58,5 mijë individë deklaruan të ardhurat për herë të parë vitin e kaluar!

Ulja e pragut të të ardhurave dhe detyrimi i të dypunësuarve për plotësimin dhe dorëzimin e Deklaratës Individuale Vjetore e të Ardhurave (DIVA) kanë shtuar rreth 58,500 deklarues të rinj për 2024-ën. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për vitin e kaluar janë 124,416 individë që kanë deklaruar DIVA. Më herët, Tatimet deklaruan se detyrimin për deklarimin e të ardhurave vjetore në DIVA e kishin 143,369. Pra janë rreth 19 mijë individë që nuk kanë dorëzuar në afat DIVA-n.

Për 2023-shin, nga 73,850 individë që duhet të deklaronin DIVA, deklaruan 65,910 individë. Nga totali i deklaratave të dorëzuara për 2024, numri i deklaruesve të rinj është shtuar me 58,5 mijë krahasuar me 2023-shin. DIVA për vitin 2024 pësoi disa ndryshime. Detyrimin për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës e kishin të gjithë individët që realizuan mbi 1,2 milion lekë të ardhura bruto për 2024-ën nga mbi 2 milion lekë që ishte deri në vitin 2023.

Por, nuk ndryshoi mënyra e plotësimit dhe dorëzimit të DIVA-s për individët e dypunësuar. Kjo kategori vijoi të ketë detyrimin për dorëzimin e DIVA-s pavarësisht nivelit të të ardhurave të realizuara.

Për 2024-ën u afrua edhe afati për dorëzimin e deklaratës nga 30 Prill që ishte më parë, u përcaktua që DIVA duhet të dorëzohej brenda 31 Marsit. Ata individë që për arsye të ndryshme nuk dorëzuan në afat DIVA penalizohen me një gjobë prej 3 mijë lekë.

Si kanë ndryshuar deklarimet në 6 vite

Në 6 vite, përkatësisht në periudhën nga 2019-ta e deri në vitin 2024, DIVA është plotësuar nga 345,2 mijë individë referuar të dhënave dhënave të Tatimeve dhe atyre të publikuara te “Plani strategjik 2024-2028, i administratës tatimore”.

Për vitin 2019, DIVA u dorëzua nga 13,9 mijë individë. Më 2020-ën, numri total i deklaruesve arriti në 58,3 mijë. Në raport me 2019-ën u rrit 3 herë. Rritja u ndikua nga përfshirja për herë të parë më 2020-ën në DIVA të dypunësuarve.

Në vitin 2020, tatimet bënë të ditur nga lista e dy punësuarve që duhet të deklaronin DIVA 2020, numri i deklaruesve arriti në 38,983 individë. Pra në total për vitin 2020 deklaruan për herë të parë të ardhurat vjetore rreth 39 mijë të dypunësuar.

Në 2021 numri i deklaruesve arriti në 40,6 mijë deklarues me rënie rreth 30% krahasuar me 2020. Për 2022 numri i deklaruesve në DIVA i është kthyer rritjes së qëndrueshme. Krahasuar me vitin 2021 u shtuan rreth 1,400 deklarues të rinj apo 3% më shumë.

Në DIVA, përveç deklarimit të të ardhurave bruto vjetore nga punësimi apo dypunësimi, individët kanë detyrimin për deklarimin e të ardhurave bruto nga dividendi, nga qiraja, nga pasuria intelektuale nëpërmjet licencave, të ardhura të fituara nga lojërat e fatit, nga transaksionet nëpërmjet mjeteve virtuale, etj. /Monitor