Sport

Te Bajerni nuk duan të dëgjojnë oferta angleze: E ardhmja e Kejn është te ne!

Pavarësisht raporteve të reja nga Anglia, Bajerni po llogarit që Herri Kejn të qëndrojë në Mynih për një kohë të gjatë. Maks Eberl iu përgjigj pyetjes së BILD mbi një largim të mundshëm të Kejn për shkak të një klauzole lirimi prej 65 milionë eurosh për verën e ardhshme:

“Ai është mjaftueshëm i rritur për të marrë vendimet e tij, qoftë me klauzolë apo pa klauzolë, çfarëdo qoftë – nëse ai thotë se dëshiron të marrë një vendim, atëherë ai do ta marrë, ashtu si tregoi te Totenhemi. Por dëshira jonë është, sigurisht, të jemi shumë të suksesshëm me Herrin këtë sezon dhe në të ardhmen!”

Në ditët dhe javët e fundit, në ishull kanë dalë thashetheme të reja se Kejn mund të kthehet në atdhe në një moment. Tomas Frenk, trajneri i ish-klubit të Kejn, Totenhem, sapo hapi derën për një rikthim:

“Mendoj se ka shumë tifozë të Totenhemit, përfshirë edhe mua, që do të donin ta kishin Kejnin përsëri. Nëse ai do të donte të vinte tek ne, është mëse i mirëpritur.”

Eberl beson se Kejn është larg së ngopuri me Bajernin! Drejtori sportiv i kampionëve gjermanë tha në konferencën për shtyp të enjten para ndeshjes kundër Verder Bremen:

“Në moshën e tij, ai po bën hapa gjigantë në fushë. Të gjithë e njihnim nga Totenhem, nga aftësitë e tij për të shënuar, por mënyra se si po luan futboll tani në këtë ekip, duke udhëhequr në fushë, duke u sakrifikuar për skuadrën, tregon: Ai thjesht dëshiron të fitojë tituj, kjo është uria e tij! Dhe këtë mund ta bëjë me ne, kjo është ajo që duam të bëjmë me të! Asnjë klub anglez nuk mund t’i ofrojë Kejn ndoshta garancinë e titujve që i jep Bajerni!”

Trajneri Vinsent Kompani gjithashtu e thekson këtë fakt: “Ai është në një fazë shumë të mirë tani. Dhe gjëja e fundit që dua të bëj është të hap një diskutim tjetër. E vetmja gjë që shoh gjithmonë është se ai ende ka uri për të fituar tituj. Dhe këtë mund ta bëjë te Bajerni.” Këtë shpresojnë të gjithë tifozët e Bajernit të Mynihut!