Lifestyle

Të besosh apo jo ekuilibrin punë-jetë, kjo është çështja!

Për shumë profesionistë, ekuilibri punë-jetë nënkupton të mos punosh mbrëmjeve, fundjavave apo gjatë festave, ose të mos lexosh emailet pas orës 17:00 për t’iu përkushtuar vetes e familjes. Por për Donna Morris, nënkryetare ekzekutive dhe drejtuese e burimeve njerëzore në Walmart, që mbikëqyr mbi 2.1 milion punonjës, ky koncept nuk është realist.

Unë nuk kam besuar kurrë tek termi ‘ekuilibër punë-jetë’. Unë e quaj ‘integrim punë-jetë’. Ka periudha kur jeta kërkon më shumë dhe periudha kur puna kërkon më shumë. Dhe kjo nuk është gjë e keqe.

Sipas saj, rëndësi ka fleksibiliteti: mund të jesh në një ndeshje futbolli të fëmijës, por të kontrollosh edhe disa emaile; ose të dërgosh një mesazh pune ndërsa pret të futesh në një takim mjekësor. Për Morrisin, kjo nuk është mungesë kufijsh, por një mënyrë për t’i përshtatur detyrimet personale dhe profesionale në funksion të jetës së përditshme.

Kjo qasje vjen në një kohë kur brezi i ri i punonjësve po kërkon më shumë nga vendet e punës, duke sjellë risi si kodet e veshjes më pak formale apo ditët për shëndetin mendor.

Në një anketë të Talent LMS në vitin 2022, mbi 1,200 të rinj të moshës 19-25 vjeç renditën pagën e pamjaftueshme, lodhjen dhe mungesën e ekuilibrit punë-jetë ndër arsyet kryesore për të lënë një punë.

Por, ndjekja e pandërprerë e këtij ideali mund të kthehet në burim ankthi, thotë Jeff Karp, profesor i Harvard Medical School dhe MIT. Ne dëgjojmë vazhdimisht se ekuilibri është i rëndësishëm, por kjo krijon zhgënjim sepse kemi ndjesinë se nuk arrijmë kurrë ta gjejmë atë.

Edhe pse pushimi i plotë nga puna mbetet i nevojshëm herë pas here, Morris thekson se lidershipi duhet të japë shembullin.

Nëse unë nuk marr kurrë pushime, mesazhi që jap është se as të tjerët nuk duhet të marrin. Dhe kjo nuk është e drejtë.

Morris vetë merr pushime, duke i treguar ekipit të saj se shkëputja është e lejueshme dhe e domosdoshme.

Si drejtues, kemi përgjegjësi të modelojmë sjelljen që presim nga të tjerët.

Mesazhi i saj është i qartë: nuk ka një gjendje ideale të ekuilibrit, por integrimi fleksibël i punës me jetën personale mund të jetë çelësi për sukses dhe mirëqenie. / shqip.al