Sport

Te Interi s’është titullar, emri i Kristjan Asllanit përfundon në La Ligan spanjolle!

Kristjan Asllani nuk e ka të sigurt vendin e titullarit te Interi, paçka se Hakan Calhanoglu lidhet me një kalim te Galatasaray, duke lënë një “gropë” të madhe në mesin e fushës te zikaltërit. Tanimë ‘Sky Sport’ në Itali bën me dije se veç Bolognas dhe Fiorentinës, interes për shërbimet e Asllanit ka edhe nga Spanja.

Real Betis pëlqen mesfushorin e Kombëtares dhe e cilëson si një afrim me vlerë, nëse gjithçka do realizohej. Finalistët e Europa League ishin surpriza e madhe e sezonit të shkuar dhe në Sevilla po mendojnë të formojnë ekipin duke ia besuar Asllanit “çelësat” e mesfushës. Një ofertë pritet për Interin, duke mos u përjashtuar edhe huazimi.

Më herët Interi ka marrë ofertën e parë zyrtare për Kristjan Asllanin, ndërkohë që e ardhmja e mesfushorit shqiptar pritet të marrë formë pas përfundimit të Botërorit të Klubeve.

Sipas mediave italiane, Bolonja është klubi që ka shfaqur interes konkret për Asllanin dhe është i gatshëm të paguajë rreth 13 milionë euro për kartonin e tij. Kjo shumë i afrohet vlerës që Interi ka dhënë për mesfushorin, e cila është rreth 14 milionë euro, duke bërë ofertën shumë joshëse dhe serioze.

Trajneri i Bolonjës, Vinçenco Italiano, e vlerëson shumë Asllanin dhe e sheh atë si profilin ideal për të marrë një rol të rëndësishëm në mesfushë në sezonin e ardhshëm, duke e konsideruar pjesë kyçe të projektit të tij. Nga ana tjetër, drejtuesit e Interit ende nuk kanë dhënë një përgjigje zyrtare ndaj ofertës.

Në bazë të raportimeve të fundit nga mediat italiane, shanset që Interi të pranojë ofertën e Bolonjës janë të konsiderueshme, duke lënë të hapur mundësinë e një transferimi të Asllanit gjatë afatit kalimtar veror. Në çdo rast, gjithçka do të marrë formë dhe do të finalizohet në javët në vijim, pas përfundimit të angazhimeve të Interit në këtë kompeticion ndërkombëtar.

Asllani u bashkua me Interin në verën e 2022 dhe pas tre sezoneve ka një rritje në lojë, por ende nuk e ka kapërcyer “paragjykimin” e moshës për të marrë mbi shpinë barrën e lojës krijuese te një nga klubet më të mira në Evropë.