Të kesh një koefiçent të lartë inteligjence nuk do të thotë automatikisht që e gëzon çdo situatë që shoqëria e quan “elitare”, “intelektuale” apo “stimuluese”.
Në fakt, sipas një artikulli të publikuar nga “Your Tango”, individët me IQ të lartë shpesh ndihen të lodhur, të tejmbushur emocionalisht dhe të mërzitur nga realitete që shumica i konsideron privilegje.
Këta individë shpesh janë emocionalisht të vetëdijshëm, kuriozë dhe me aftësi analitike të theksuara, por kjo nuk i shpëton nga zhgënjimi në situata të zakonshme sociale. Ja disa nga përvojat që ata i shohin si të lodhshme apo të kota:
Eventet sociale dhe bisedat sipërfaqësore
Për njerëzit me mendje analitike, ngjarjet mondane shoqërore dhe frazat e zbrazëta si “Trego pak për veten” janë burim ankthi.
Ata shpesh do të preferonin një libër në vetmi sesa një sallë plot me njerëz pa ndonjë lidhje të vërtetë mendore.
Ambientet false dhe pretendimet kulturore
Pëlqimi për artin abstrakt apo leximin e klasikëve thjesht për dukje, janë sjellje që individët e zgjuar i shohin si të zbrazëta.
Ata kërkojnë autenticitet dhe thellësi, jo imitim kulturor për status shoqëror.
Roli i “mikut të zgjuar”
Në çdo grup shoqëror, ekziston një person që e ka barrën e të qenit zgjidhësi i problemeve.
Shpesh ky është personi me inteligjencën më të lartë – dhe shpesh, ai është edhe më i lodhuri nga kjo pritshmëri e vazhdueshme.
Presioni për të “provuar” veten
Fraza si “Çfarë po lexon tani?” apo pritshmëria për të shpalosur mendime të ndërlikuara në çdo bisedë, janë të bezdisshme për dikë që nuk ka nevojë të dëshmojë asgjë.
Të zgjidhin problemet e të gjithëve
Në punë, në familje apo shoqëri, ata që mendojnë më thellë zakonisht përfundojnë duke bërë më shumë.
Por shpesh, ajo që do të donin më shumë është thjesht të pushojnë, jo të jenë zgjidhja për gjithçka.
Presioni për të qenë gjithmonë të informuar
Ndjenja që duhet të dish çdo lajm, krizë apo debat politik i mbingarkon emocionalisht. Informacioni i tepërt mund të bëhet toksik, jo ndihmues.
Pritshmëria për të pasur mendim për gjithçka
Inteligjenca nuk do të thotë të dish gjithmonë përgjigjen. “Nuk e di” është një përgjigje po aq valide, por shoqëria shpesh ua mohon këtë luks.
Gara dhe krahasimet e vazhdueshme
Ndërsa inteligjenca nuk është garë, shpesh perceptohet si e tillë. Kjo krijon stres të panevojshëm dhe ushqen një kulturë të vazhdueshme krahasimi, që më shumë i lodh se i motivon.
Humori banal
Shakatë pa kuptim, fyese apo banale janë burim bezdie për një mendje të mprehtë, që vlerëson humorin e hollë, emocional dhe inteligjent.
Bisedat pa thelb
Fjalët e zakonshme si “Sa mot i keq” apo “Plasëm vape” janë ndëshkim për dikë që ka nevojë për thellësi në biseda. Ata shpesh heshtin, thjesht për të mos i mërzitur të tjerët.
Takimet e panevojshme
Efikasiteti është vlerë kyçe për ta. Kur një takim mund të zëvendësohej lehtësisht me një email, janë të parët që do ta vënë në dyshim nevojën për kohë të humbur.