Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit, SPAK, mori të pandehur tre persona, të akuzuar se kanë planifikuar dhe tentuar vrasjen e Aleksandër Prendit e të familjes së tij në fshatin Rranxë të Vaut të Dejës.
Të pandehurit janë Izmir Sakica, Samuel Troshani dhe Franko Leka, të cilët sipas SPAK-ut organizuan atentatin gjatë vitit 2024 dhe u nisën drejt zonës së Rranxës me mjete të blinduara e të armatosur.
Sipas hetimeve, objektiv i atentatit ishte Aleksandër Prendi dhe familjarët. Në momentin që autorët kanë hyrë në zonë, ata janë përballur me të shtënat me armë nga vetë Prendi, duke sjellë një shkëmbim zjarri mes palëve.
Nga ngjarja nuk pati persona të lënduar, por vetëm dëmtime të automjeteve të përdorura nga autorët. Njëri prej mjeteve të përfshira rezultoi i paregjistruar, me pronësi të panjohur dhe me targa të huaja që nuk i përkisnin automjetit.
SPAK ka ngritur ndaj tre të pandehurve akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese e mbetur në tentativë”, “sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes” dhe “armëmbajtje pa leje”, të gjitha të kryera në kuadër të grupit kriminal.
Ndërkohë, akuza për “vrasje në tentativë” është ngritur edhe ndaj Aleksandër Prendi, pasi sipas hetimeve ka qëlluar me armë në drejtim të atentatorëve.
Aktualisht, Franko Leka dhe Aleksandër Prendi vijojnë të jenë në kërkim, ndërsa në burg ndodhen vetëm Izmir Sakica e Samuel Troshani, të cilët u vetëdorëzuan në polici pas ngjarjes.