Katër persona u vranë dhe të paktën 20 të tjerë u plagosën në orët e natës në Kiev, si pasojë e sulmeve me raketa dhe dronë, siç bëri të ditur kryebashkiaku Vitali Klitschko.
Katër persona u konfirmuan të vdekur në kryeqytet. Operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar në disa zona.
Sulmet intensive zgjatën disa orë dhe raportohet të jenë kryer me raketa lundruese e dronë kamikazë. Tymur Tkachenko, shef i Departamentit Ushtarak deklaroi se dronët kanë goditur katet e një ndërtese të lartë në anën lindore të qytetit e për pasojë shpërtheu një zjarr.
Dy ditë më parë, presidenti amerikan, Donald Trump u shpreh se Putin e paralajmëroi se Rusia do të përgjigjej për sulmet në hapësirat e forcës ajrore ruse, duke rezultuar me shkatërrim të dhjetëra bombarduesve rusë me kapacitet bërthamor.
Shërbimi ukrainas i Sigurisë (SBU) sulmoi më 1 qershor dhe deklaroi se goditi mbi 40 bombardues. Trump bisedoi në telefon me Putinin dhe telefonatën e quajti “bisedë të mirë”, ndonëse jo e llojit që do të çonte në paqe të menjëhershme. Presidenti amerikan u shpreh se sulmet e befasishme ukrainase ishin mes temave të diskutimit.
Dje, Trump priti kancelarin gjerman, Friedrich Merz në Shtëpinë e Bardhë, për të biseduar për bashkëpunimin për Ukrainën e tema të tjera. Merz, i cili muajin e kaluar nisi detyrën e kancelarit, që para nisjes së takimit me Trump-in iu tha gazetarëve se nuk priste të kishte një rezultat shumë të madh lidhur me çështjen e tarifave, NATO-s apo luftës në Ukrainë.
Por pas takimit, u deklarua “jashtëzakonisht i kënaqur”. Merz vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermania pajtohen “sa e tmerrshme është lufta”, duke e bërë fajtor Putinin dhe theksuar se Gjermania qëndron në anën e Ukrainës.
Jemi duke analizuar mënyra për t’i dhënë fund shpejt, deklaroi Merz. I thashë presidentit se ai është personi kryesor botë që mund të bëjë këtë, duke ushtruar presion ndaj Rusisë.
Gjermania është mbështetësja e dytë më e madhe për Ukrainën, pas Shteteve të Bashkuara në aspektin ushtarak dhe atë financiar, teksa Kievi lufton pushtimin rus.