Live From Tirana

“Teatër absurd”/Alba Alishani për përpasjen në studion e Top Story: Është fyese për publikun!

E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë gazetarja Alba Alishani. Që nga ana profesionale e po ashtu në atë personale, Alba ka bërë një rrëfim të sinqertë e të patreguar më parë.

Së fundmi ka bërë xhiron e rrjetit një video ku gazetarja përplaset me pjesën tjetër të panelit në studion e “Top Story”, duke u shprehur se duke folur për 40 minuta janë duke bërë një teatër absurd…

Ronaldo: U duk sikur more ‘hakun’ e shqiptarëve që shpesh acarohen me z. Curri se ndonjëherë bëhet ironik dhe i pasjellshëm me të ftuarit. Pastaj i thatë me elegancë znj.Duma që ju la të fundit për të folur e më pas i dhatë të kuptonte Arjan Currit që ‘nuk e llogarisni’ fare…

Alba: Ky ka qenë leximi?

Ronaldo: Një nga interpretimet. Unë nuk besoj se ju jeni e pavëmendshme që ta kuptonit se Curri nuk kishte folur. Por mendoj që e bëtë qëllimisht për t’i treguar atij që ‘nuk ju vura re fare që ishit në panel’. Nga ana tjetër the dhe teatrin absurd po bënin panelistët. Gjetët guximin dhe e thatë në një panel ku dominonin burrat, ju e thatë këtë për te treguar zërin e fuqishëm të grave dhe që gratë dinë të bëjnë analiza politike. A isha i qartë në mesazhin që kam marrë?

Alba: Ishe shumë i qartë. Edhe leximi ishte shumë interesant, nuk ishte leximi që kisha menduar unë dhe nuk është ky interpretimi dhe as arsyeja pse e nisa ashtu. Por gjithsesi më intereson shumë sepse sociologjia e të kuptuarit të publikut është shumë e rëndësishme për atë që ne bëjmë për publikun. Sociologjia e të menduarit të publikut nga divani për mua është shumë e rëndësishme. Nëse nuk do të kishte publik, ne nuk do të ekzistonim dhe nuk do të kishim se çfarë detyre të bënim. Ne jemi mediatorë, nuk jemi kaq të rëndësishëm sa prezantohemi, me shumë modesti, ne duhet të jemi pak më me këmbë në tokë. Ne jemi thjesht një urë lidhësi, jemi ne, na shërben si instrument ekrani, në këtë rast media që ne zgjedhim të prezantojmë dhe ne punojmë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, për atë publik që është në divanet e shtëpisë. Dhe mesazhi im i asaj mbrëmje, i cili ishte krejt spontan dhe i pamenduar, sepse vërtetë e pashë orën dhe i kisha dëgjuar për 40 minuta, nuk ishte aspak personal. Pra nuk e kisha në adresë as të zotit Curri, jo se e kisha harruar që ishte aty, e dija shumë mirë që nuk kishte folur, por fola për një pjesë të kolegëve që kishin folur për 40 minuta, dhe as për zonjën Duma, e cila sigurisht po respektonte secilin dhe donte ta dëgjonte mendimin e tyre deri në fund. Por 40 minuta të një absurditeti, ku asnjëri nuk thoshte atë që dinte në të vërtetë, për mua ishin shumë. Sepse është fyese për publikun që të ndjek.