Asambleja e Ekspertëve të Iranit ka arritur një marrëveshje se kush do të zgjidhet si udhëheqësi i ri suprem i Iranit pas vrasjes së Ali Khameneit.
Sipas mediave të huaja lajmin e bëri të ditur Ajatollah Mohammad-Mahdi Mirbagheri, një anëtar i këtij organi për agjencinë e lajmeve Fars.
Mësohet se ai deklaroi se “u bënë përpjekje të mëdha për të përcaktuar udhëheqësin” dhe se u ra dakord për “një mendim vendimtar dhe unanim”.
Njoftimi zyrtar është shtyrë për shkak të çështjeve të sigurisë dhe procedurave. Burime brenda organit të emërimit thonë se vendimi është marrë gjerësisht për Mojtaba Khamenein, djalin e udhëheqësit suprem, por mbeten të hapura disa mosmarrëveshje mbi mënyrën dhe kohën e shpalljes publike.
Mojtaba Khamenein, i lindur në vitin 1969 në Mashhad, është rritur në një mjedis të politizuar dhe ka marrë pjesë në IRGC, ku ka forcuar lidhjet me aparatin ushtarak të regjimit. Ai ka studiuar teologji dhe jurisprudencë islame në Teheran dhe Qom, duke ndërtuar një ndikim të madh brenda sistemit politik dhe ushtarak, përfshirë menaxhimin e krizave ekonomike dhe kontrollin e burimeve financiare.
Njohësit e çështjeve iraniane vlerësojnë se roli i Mojtabës brenda Gardës Revolucionare dhe medieve shtetërore e vendos atë si figurë kyçe për vijimësinë e pushtetit në Republikën Islamike, ndërsa vendimi zyrtar pritet të shpallet sapo kushtet e sigurisë dhe procedurat të lejojnë.
Sipas Kushtetutës iraniane, Asambleja e Ekspertëve, aktualisht me 88 anëtarë, është e ngarkuar me zgjedhjen e një udhëheqësi të ri suprem pas mandatit gati 37-vjeçar të Khameneit, i cili u vra në një sulm amerikan në Teheran më 28 shkurt.
Ajatollah Mohsen Heidari Alekasir, një tjetër anëtar i Asamblesë, tha se kandidati u zgjodh bazuar në këshillën e Ali Khameneit, i cili thoshte se udhëheqësi iranian do të duhej të “urrehej nga armiku”.
“Edhe Satani i Madh (SHBA) e përmendi emrin e tij”, tha Heidari Alekasir. Ditë më parë, Trump e quajti djalin e Khameneit, Mojtaba, një zgjedhje “të papranueshme”. Pra mesa duket, Mojtaba, djali i Ajatollah Ali Khameneit është përzgjedhur për të qenë lideri i ri Suprem i Iranit.