Bota

Teherani po shqyrton mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, çmimi i naftës mund “të kapë qiellin”!

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit është duke u shqyrtuar seriozisht nga autoritetet iraniane. Kështu raportojnë mediat iraniane, duke cituar deklaratat e Esmail Kosarit, anëtar i komisionit parlamentar për sigurinë në Teheran.

Ngushtica e Hormuzit, që ndodhet midis Omanit dhe Iranit, është pika më e rëndësishme në botë për transportin e naftës. Nëse transporti ndalet, çmimi i naftës mund “të kapë qiellin”.

Izraeli: Në mbrëmje pritet rifillimi i bombardimeve nga Irani

Ushtria izraelite vlerëson se bombardimet nga Irani do të rifillojnë në orët e mbrëmjes. Sipas IDF-së, një pjesë e qetësisë së orëve të fundit lidhet me një festë që po kremtohet sot në Iran.

IDF gjithashtu bëri të ditur se i gjithë Komandimi i Frontit të Brendshëm është mobilizuar: mbi 50 batalione ndihme janë vendosur në të gjithë vendin.

Ushtria theksoi rëndësinë e masave mbrojtëse, duke kujtuar se gjatë sulmit në Tel Aviv, tre apartamente u shkatërruan plotësisht.

Po ashtu, paralajmërohet se edhe nesër mund të zgjatet urdhri për të mos shkuar në vende pune jo thelbësore dhe për të mos zhvilluar mësim në të gjithë vendin.

Fluturimet në kaos, asnjë avion në Lindjen e Mesme, qielli bosh në Iran, Irak, Jordani dhe Liban

Që prej së premtes kur nisi sulmi izraelit ndaj Iranit, mijëra udhëtarë në mbarë botën po përballen me anulime të shumta të fluturimeve.

Uebsajti i monitorimit te fluturimeve “Flightradar” tregon 9 sekondat se si u pastrua nga avionët hapësira ajrore mbi Iran, menjëherë pasi Izraeli sulmoi me raketa zemrën e programit bërthamor te Teheranit.

Hapësira ajrore përgjatë Iranit, Irakut, Izraelit dhe Jordanisë u përfshi nga kaosi. Shumë fluturime u devijuan dhe mijëra pasagjerë u bllokuan. Aeroportet në Izrael janë mbyllur deri në një njoftim të mëtejshëm dhe kompanitë ajrore kanë anuluar fluturimet drejt rajonit.

Pas sulmit, Irani, Iraku, Jordania dhe Siria mbyllën gjithashtu hapësirën e tyre ajrore. Eurocontrol vlerëson se të paktën 1800 fluturime janë prekur deri më tani vetëm për në Evropë dhe anasjelltas. Trafiku ajror u devijua ose në jug, nëpërmjet Egjiptit dhe Arabisë Saudite, ose në veri, nëpërmjet Turqisë, Azerbajxhanit dhe Turkmenistanit.