Aktualitet

Telefonatë në polici për bombë te parkimi i hotel Plaza, policia rrethon zonën! Dyshohet për alarm fals

Një telefonatë anonime në sallën operative të policisë ka ngritur në alarm forcat e rendit pasditen e sotme në Tiranë. Bëhet fjalë për një njoftim për një bombë në hotel “Plaza”.

Ka qenë një telefonatë e bërë në recepsionin e hotelit për një bombë në parkim, më pas personeli ka njoftuar policinë. Deri tani policia është e angazhuar për të gjetur bombën në të gjitha hapësirat e godinës dhe po punon për verifikimin e vërtetësisë së situatës. Nga ana tjetër, është boshatisur e gjithë godina duke nxjerrë jashtë klientët dhe personelin.

Po kryhen të gjitha verifikimet në terren për të përjashtuar çdo mundësi rreziku.

Nga kontrolli i ndërtesës nuk është gjetur asgjë e dyshimte dhe alarmi dyshohet të jetë fals.

Njoftimi i Policisë:

“Rreth orës 19:35, në Sallën Operative të DVP Tiranë ka telefonuar një punonjëse e stafit të një hoteli në rrugën “Abdi Toptani”, me pretendimin se dikush i panjohur e ka njoftuar për vendosjen e një sasie eksplozivi në parkimin e këtij hoteli.

Menjeherë në vendngjarje ka shkuar forca të shumta policie të cilët kanë bërë rrethimin e zonës dhe evakuimin e personave të hotelit. Gjithashtu janë njoftuar forca xheniere për kontrollin dhe verifikimin e informacionit.

Në përfundim të kontrollit dhe veprimeve hetimore do të keni një informacion me të detajuar për rastin.”-njofton policia.