Rajoni

Tensione në veri të Kosovës, shpërthim pranë stacioneve policore në Zveçan e Mitrovicë të Veriut!

Shpërthime në afërsi të stacioneve policore në Zveçan e në Mitrovicën e Veriut në Kosovën e veriut. Lajmin e konfirmon zëdhënësi i policisë, Veton Elshani, i cili për Radion Evropa e Lirë foli për shok-bomba e bëri të ditur se nuk ka të lënduar. Një makinë e policisë është dëmtuar.

U hap një hetim, por ende nuk ka të dyshuar. Këto zhvillime po ndodhin në kohën kur tensionet në veriun me shumicë serbe janë rritur. Ato nisën më 26 maj kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me ndihmën e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve.

Tensionet kulmuan më 29 maj kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet u lënduan dhjetëra persona.

Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicën e Veriut ku arrestoi serbin Milun Milenkoviç. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.

Një ditë pas kësaj, tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe në veri të vendit, një veprim që Prishtina zyrtare e ka cilësuar “rrëmbim”.

Presidenti serb, Aleksander Vuçiç tha se asnjë ushtar dhe asnjë polic nga Serbia nuk ka hyrë përtej kufirit me Kosovën. Ai deklaroi se policia arrestoi tre policë të Kosovës, 1.8 kilometra larg kufirit.

Kryeministri Albin Kurti hodhi poshtë pretendimet e Serbisë. Gjithashtu, qeveria e Kosovës bëri të ditur se janë shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë. Kurti vuri në dukje se synim është siguria, e siguria fillon te kufijtë.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Josep Borrell, tha se do t’i ftojë përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë javën e ardhshme në Bruksel, në një takim urgjent për menaxhimin e krizave.