Dy ditë pas nisjes së konfliktit të Izraelit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me Iranin, po vazhdojnë sulmet hakmarrëse të Republikës Islamike ndaj vendeve fqinje që strehojnë baza ushtarake amerikane në territoret e tyre.
Një valë e re goditjesh me raketa e dronë nga Irani u raportua orët e fundit në disa qytete të Lindjes së Mesme.
Sipas raportimeve të agjencive Reuters dhe AFP, kryeqytetet Doha e Manama, respektivisht në Katar e Bahrejn, si edhe Dubai në Emiratet e Bashkuara Arabe e Erbili në Rajonin Kurd të Irakut, ishin shënjestra të sulmeve të reja ajrore iraniane. Banorët raportuan shpërthime të fuqishme dhe sirena alarmi.
Ende nuk është e qartë nëse shpërthimet janë shkaktuar nga goditjet direkte të raketave dhe dronëve apo nga ndërhyrja e sistemeve të mbrojtjes ajrore që i kanë goditur dhe shkatërruar ato.
Sot në mëngjes, edhe Kuvajti njoftoi se ka rrëzuar disa dronë sulmues iranianë. Shumica e tyre u kapën pranë lagjeve Ramatjah e Salva. Nuk raportohen të lënduar.
Me një deklaratë të përbashkët, Shtetet e Bashkuara, Bahrejni, Jordania, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dënuan fuqishëm ato që i cilësuan “sulme të papërgjegjshme me raketa dhe dronë të Iranit ndaj territoreve sovrane në rajon”.
Këto sulme pa bazë shënjestruan territore sovrane, rrezikuan popullsinë civile dhe dëmtuan infrastrukturën civile.
Më herët, edhe Këshilli i Bashkëpunimit të Gjirit, i udhëhequr nga Arabia Saudite, dënoi Teheranin për goditjet ndaj shteteve anëtare e theksoi “të drejtën për të reaguar” ndaj këtyre veprimeve.
Ky këshill përfshin: Arabinë Saudite, Katarin, Omanin, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejnin dhe Kuvajtin.
Deklarata e përbashkët e Uashingtonit dhe aleatëve të tij arabë thekson se “veprimet e Iranit paraqesin një përshkallëzim të rrezikshëm, që shkel sovranitetin e shteteve e kërcënon stabilitetin rajonal. Shënjestrimi i civilëve dhe vendeve që nuk janë të përfshira në konflikte, është sjellje e papërgjegjshme dhe destabilizuese.