Bota

Tensionet me Iranin, Amerika kufizon stafin joesencial në ambasadën në Irak!

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po zvogëlojnë numrin e pjesëtarëve të stafit joesencial në Lindjen e Mesme, siç njoftoi Departamenti i Shtetit. Ambasada e Uashingtonit në Bagdad po përgatitet për një evakuim emergjent për shkak të rreziqeve të shtuara të sigurisë në rajon.

Po ashtu, Shtetet e Bashkuara po autorizojnë largimin e personelit jothelbësor dhe të anëtarëve të familjeve të tyre nga Bahrejni e Kuvajti, duke iu dhënë mundësinë të zgjedhin nëse duan të largohen.

Një zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Irakut konfirmoi “largimin e kufizuar” të stafit të selisë diplomatike, duke theksuar se vendimi bazohet në “shqetësime të mundshme të sigurisë që lidhen me tensionet rajonale”.

Tensionet në rajon janë në rritje, pasi bisedimet bërthamore mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit duket se kanë ngecur e gjithashtu, si pasojë e 18 muajve luftë në Gazë çka ngjall frikën për një luftë më të gjerë rajonale.  Bisedimet synojnë kufizimin e programit bërthamor të Iranit, në këmbim të heqjes së disa prej sanksioneve ekonomike që Amerika i ka vendosur Iranit. Teherani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.

Raundi i ardhshëm i bisedimeve me SHBA-të do të mbahet më 15 qershor, në Oman. Irani po përgatit një propozim pasi nuk e pranoi atë amerikan për një marrëveshje që lideri suprem Ayatollah Ali Khamenei, e përshkroi si “100% kundër interesave kombëtare”.

I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff do të takohet me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi për të diskutuar përgjigjen e Iranit. Shtetet e Bashkuara kanë prani ushtarake në Irak, Kuvajt, Bahrejn, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një zyrtar i Uashingtonit tha se nuk ka pasur ndonjë ndryshim në statusin e bazës ajrore al-Udeid në Katar, më e madhja ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme dhe se nuk janë lëshuar urdhra për evakuim të punonjësve apo familjarëve të Ambasadës amerikane në Katar, siç raportoi Reuters.

Presidenti Donald Trump u shpreh se njerëzit po “largohen” nga Lindja e Mesme e “rrezikshme”, kur u pyet për lajmet se personelit jothelbësor iu dha mundësia të largohet.

Do të shohim çfarë do të ndodhë. Ata nuk mund të kenë armë bërthamore, theksoi Trump, duke iu referuar Iranit dhe bisedimeve mbi çështjen.