Një ngjyrë mund të bëjë më shumë se thjesht të duket bukur. Kështu ndodh me manikyrin e kuq, i cili po bëhet gjithnjë e më i njohur falë trendit të ri në rrjetet sociale të quajtur “Teoria e thonjve të kuq”.
Ky fenomen është bërë viral në TikTok, ku miliona gra tregojnë se si një manikyr i kuq i ka bërë të ndihen më të sigurta dhe më të fuqishme.
Sipas psikologëve, ngjyra e kuqe historikisht lidhet me pasionin, autoritetin dhe feminitetin e fortë. Për këtë arsye, një manikyr i kuq nuk është thjesht një zgjedhje estetike, por shndërrohet në një deklaratë vetëbesimi.
Ekspertët e konsiderojnë këtë efekt si një lloj “placebo emocional”, ku edhe një ndryshim i vogël në pamje mund të ndikojë në sjelljen dhe qëndrimin tonë.
“Red Nail Theory” nuk ka të bëjë vetëm me pamjen, por me mënyrën se si një grua e sheh veten dhe si perceptohet nga të tjerët. Ngjyra e kuqe i bën gratë të ndihen më të vëzhguara në mënyrë pozitive dhe më të pranishme në çdo ambient ku ndodhen.
Psikologët theksojnë se efekti i ngjyrave në psikologjinë e njeriut është dokumentuar prej vitesh, ndaj nuk është për t’u habitur që një manikyr i kuq mund të sjellë një ndjesi fuqie dhe vetëbesimi.
Sipas miliona përdorueseve në rrjet, një manikyr i kuq është më shumë se një trend – është një gjendje shpirtërore.