Sot në Kuvend, deputetët demokratë, Ina Zhupa dhe Luçiano Boçi, njëherazi bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale, kërkuan tërheqjen e maxhorancës nga projektvendimi për ndryshimet e lidhura me formulën e përfaqësimit dhe paritetit në këtë komision.
Sipas tyre, ky vendim është marrë në mënyrë të njëanshme nga PS-ja, duke theksuar se “opozita nuk është notere e maxhorancës, për të firmosur ultimatumet e saj”.
Zhupa kërkoi që të ketë bashkërendim në komision nga të dy kryetarët dhe të shmangin krijimin e një reforme të dështuar si ajo e vitit 2014.
Gjithmonë, PD-ja ka qenë e gatshme për të qëndruar në vendimin që ka votuar këtu në Kuvend, bashkërisht, për të bërë Reformën Territoriale. Ju e bëtë njëherë në mënyrë të ngjashme më 2014-ën dhe e pranoni sot që ka qenë e dështuar.
Nëse duam një reformë që i shërben qytetarëve, qëndrojini asaj që kemi votuar në Kuvend për bashkëkryesimin, duke dëgjuar ekspertët dhe marrë këshilla nga KiE e duke respektuar Kushtetutën. Tërhiqeni atë projektvendim që e keni futur sot për rregullore dhe janë dy bashkëkryetarët që duhet të bashkëbisedojnë për mbledhjet.
Nuk mund të ndodhë që PS-ja t’i imponohet PD-së se kur do të bëhen mbledhjet. Ju doni të vendosni ultimatum. E keni të dështuar predispozitën e PD-së dhe mos votoni në mënyrë të ngjashme për të dështuar, ende pa filluar reformën territoriale, sepse pasojat do t’i vuajnë qytetarët.
Po ashtu, Boçi akuzoi maxhorancën për shkelje procedurash e tentativë të imponimit të vendimeve pa konsensusin e opozitës. Këtë veprim e quajti “turp” dhe theksoi se nëse PS-ja vazhdon me këtë mënyrë veprimi do të çojë Parlamentin në kolaps.
U dha një ultimatum për një mbledhje dhe do të diskutojmë për këtë çështje në Konferencën e Kryetarëve. Një mbledhje thirret përmes dakordësisë së bashkëkryesisë së komisionit, por ju e thërrisni me urdhër të një bashkëkryetari.
Nuk ka dakordësi, kjo mbledhje është nul dhe mbledhjet e tjera nuk janë thirrur në konsultim me dy bashkëkryetarët dhe ju i cilësoni si bojkot. Ku jemi këtu, në pazar? Kjo është e turpshme dhe më i turpshëm ishte ultimatum që u dha në Konferencën e Kryetarëve.
PS-ja i vendosi ultimatum PD-së, duke paralajmëruar se nëse opozita nuk merrte pjesë në mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale më 2 shkurt, do të kërkohej ndryshimi i formulës së përfaqësimit e bashkëkryesimit, si një mjet për të zhbllokuar punimet e këtij komisioni.